Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut do të bëhet në shtator

Shkup, 21 gusht 2021 – Në Maqedonië e Veriut është e vendosur që regjistrimi i popullsisë të bëhet në shtator të këtij viti, 20 vjet pas regjistrimit të fundit, të realizuar në vitin 2002.

Regjistrimi do të realizohet pavarësisht rritjes së rasteve të të infektuarve me COVID-19. Ai duhej të mbahej në prill, por ishte shtyrë për në shtator pikërisht për shkak të pandemisë. 

Operacioni statistikor pritet të realizohet nga 5 deri më 30 shtator, por Enti Shtetëror i Statistikës ka bërë të ditur se mungon interesimi i regjistruesve në terren. Kur kanë mbetur vetëm dy javë deri në fillimin e regjistrimit, Enti i Statistikës ka nevojë edhe për rreth 700 regjistrues.

Zëvendës-drejtori i Entit të Statistikës, Ilmi Selami, ka thënë se interesimi i qytetarëve për t’u angazhuar në procesin e regjistrimit është i ulët, ndonëse ata do të paguhen rreth 730 euro për punë 20-ditore. Sipas tij, mungesë interesimi ka sidomos ndër maqedonas dhe ndër shqiptarë.

“Problem kemi në përfshirjen e të gjitha entiteteve, por mosinteresimi është evident te maqedonasit dhe shqiptarët. Numri i përgjithshëm i regjistruesve është 5,550 ndërsa deri tani janë paraqitur diku 4,850 persona. Ne regjistrimin mund ta realizojmë edhe me këtë numër të regjistruesve, por që të jemi më komod në realizimin e këtij procesi, ne insistojmë në plotësimin e numrit të planifikuar, me qëllim që regjistruesit në terren të mos punojnë nën presionin e kohës apo të detyrës së shtuar e kështu me radhë”, ka thënë Selam për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka shpjeguar se të gjithë regjistruesit do të punojnë në terren, bazuar në protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtje nga pandemia, kështu që përjashtohet çdo mundësi që kësaj radhe të shtyhet regjistrimi.

“Unë mendoj se janë shterur të gjitha arsyet e mosmbajtjes së regjistrimit, apo për shtyrje të regjistrimit dhe duke marrë këto parasysh dhe ligjin që tashmë është në fuqi, do të thotë çdo arsye, çdo shkas apo shkak nga ndonjë subjekt politik apo qoftë ai shoqëror, më nuk mban. Regjistrimi do të fillojë më 5 shtator. Deri te nisja e këtij operacioni kanë mbetur edhe disa ditë dhe shpresojmë se me sukses do të përfundojë më 30 shtator. Besojmë se pas 20 vjetësh do të kemi një regjistrimi të suksesshëm”, ka deklaruar Selami.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, ka  thënë se regjistrimi nuk do të shtyhet. Ai ka shprehur besimin se procesi do të mbështetet edhe nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, me kërkesë të së cilës regjistrimi ishte shtyrë për në muajin shtator.

“Ne nuk duhet të mendojmë për shtyrjen e regjistrimit, është obligimi ynë që duhet ta bëjnë. Në këtë proces janë të përfshirë të gjithë, edhe opozita me kërkesat e saj që tashmë janë pjesë e ligjit. Le të bëjmë një regjistrim, sepse është një operacion statistikor që është thelbësor për të gjitha planet dhe sfidat tona ekonomike që kemi para nesh. Dhe së fundi, pas 20 vjetësh, të bëjmë operacionin statistikor”, ka deklaruar Zaev.

VMRO DPMNE-ja nuk ka dalë ende me qëndrim mbi regjistrimin, ndërsa kundër regjistrimit tani është shprehur partia tjetër opozitare maqedonase, “E Majta”. Ajo pretendon se regjistrimi do të manipulohet, siç ka thënë kjo parti, “për të nxjerrë të dhëna joreale mbi përbërjen etnike të popullsisë”. Kjo parti pretendon se shqiptarët  përbëjnë më pak se 25.17 për qind të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, sa kanë dale në regjistrimin e fundit, në vitin 2002.

Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë të rregulluara në bazë të përqindjes së tyre. Sipas Kushtetutës, përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare në këtë vend është edhe gjuha që flutet nga mbi 20 për qind e popullatës së cilitdo etnitet jomaqedonas. Sipas kësaj dispozite kushtetuese, shqiptarëve u garantohen edhe të drejtat tjera kombëtare, si përfaqësimi proporcional në institucionet shtetërore dhe agjencitë e pavarura, si edhe përdorimi i simboleve kombëtare e kulturore.

(r.m.)