Rekord i zi në Kosovë, 36 të vdekur nga COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit

Prishtinë, 29 gusht 2021 – Në Kosovë, gjatë24orëve të fundit, është shënuar shifër rekord e rasteve të vdekjes nga COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 36 persona e kanë humbur jetën nga pasoja e infeksionit me koronavirus gjatë kësaj periudhe.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi për 1.630 raste të reja pozitive me koronavirus, të cilat kanë rezultuar nga testimi i 11.017 mostrave, në laboratorët publikë dhe privatë.

Sipas të dhënave të këtij instituti, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 816 pacientë me COVID-19, ndërsa numri i rasteve aktive ka shkuar në 26.575.

Këto shifra janë publikuar në prag të hyrjes në fuqi të masave të reja kundër përhapjes së pandemisë, të marra të shtunën nga Qeveria e Kosovës. Ndër këto masa janë edhe shtyrja e fillimit të vitit të ri shkollor për dy javë dhe kufizimi i lëvizjes gjatë natës, prej orës 22derinë orën 6.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë administruar 11.458 doza të vaksinës anti-COVID. Sipas të dhënave të kësaj ministrie, deri më sot me të dy dozat e vaksinës janë vaksinuar  269.312 qytetarë.

Qeveria e Kosovës po bën përpjekje të shtojë ritmin e imunizimit të popullsisë nga COVID-19. Kryeministri Albin Kurti tha se përpak ditë pritet të arrijnë në Kosovë 600 mijë doza të tjera të vaksinës, kështu që dinamika e vaksinimit do të rritet.

(r.m.)

 

Comment

*