Rektorati i Universitetit të Prishtinës distancohet nga gjuha e Ardian Kastratit

Prishtinë, 5 prill 2021 – Rektorati i Universitetit të Prishtinës është distancuar nga gjuha e deputetit  Ardian Kastrati, I cili është profesor asistent në këtë universitet.

Në reagim dënohet fuqishëm gjuha e përdorur nga Kastrati dhe paralajmërohet se rasti do të trajtohet në përputhje me ligjet në fuqi.

“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ njofton se ka ndjekur me shqetësim situatën e krijuar, si pasojë e një shkrimi të publikuar dje në llogarinë e tij në facebook nga z. Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik të UP-së.

Universiteti i Prishtinës ka mirëpritur krijimin e institucioneve të reja dhe shpreson në stabilizimin e rrethanave politike në vend. Por, në situatën e krijuar nga rasti i lartpërmendur, UP-ja njofton opinionin që, si institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, kërkon nga personeli i tij, që pavarësisht institucionit ku janë të angazhuar, me sjelljet, qëndrimet dhe deklaratat e tyre, të ruajnë imazhin e UP-së.

Në këto rrethana, UP-ja distancohet nga deklarata individuale e profesor Kastratit si dhe dënon fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur.

Në suazat e përgjegjësive të veta statutare, UP-ja, në ditët në vijim, do ta trajtojë rastin në fjalë, në përputhje edhe me ligjet në fuqi”, thuhet në komunikatën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Ky reagim vjen pas protestës së mbajtur para Rektoratit në të cilën u kërkua shkarkimi i Ardian Kastratit për shkak të gjuhës së përdorur ndaj një gruaje të shëndetshme.

Të dielën në mbrëmje, pas zgjedhjes së zonjës Vjosa Osmani për Presidente të Kosovës, Kastrati postoi një shkrim fyer për fizikun e një gruaje të shëndoshë, të cilin e cilësoi se shkrim satiric të shkrimtarit Faik Konica.

Shkrimi, i cili më pas u fshi nga profili i Kasatratit, cilësohet si ofendim ndaj Presidentes së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani.

Në rrjetet sociale janë bërë edhe dy peticione në të cilat kërkohet shkarkimi i Kastratit nga Universiteti i Prishtinës.

Ardian Kastrati është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit. Ai është pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila e bojkotoi procesin e zgjedhjes së Vjosa Osmanit për presidente të vendit.

Drejtues dhe aktivistë të kësaj partie kanë drejtuar kritika të ashpra në adresë të Zonjës Osmani, e cila ka qenë një ndër kritikët më të zëshëm të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe disa drejtuesve tjerë të lartë të  Partisë Demokratike të Kosovës.

(r.m.)

Comment

*