Rënie e madhe e investimeve të huaja në Kosovë

Prishtinë, 19 qershor 2013 – Investimet e huaja në Kosovë janë duke shënuar rënie të madhe. Në periudhëm mes vitit 2011 dhe 2012 ato kanë rënë për më shumë se 160 milionë euro.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në vitin 2011 investimet e huaja direkte në vendin tonë ishin 394 milionë euro, ndërsa në vitin 2012 kishin rënë në 232 milionë euro. Sipas këtij raporti, të cilit i referohet gazeta “Zëri”, gjatë periudhës 2008 – 2011, investimet e huaja direkte në Kosovë kanë mbajtur një nivel të ngjashëm, mesatarisht 8.3 për qind të Podhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Për shkak të krizës ekonomike që kishte përfshirë shumë vende të zhvilluara, në vitin 2009 investimet e huaja direkte në Kosovë kishin shënuar rënie të dukshme, ndërsa në vitet 2010 e 2011 ishte shënuar përsëri rritje, por me një ritëm të ngadalshëm.

Trendi i rënies së investimeve të huaja direkte në Kosovë ka shënuar rënie të madhe vitin e kaluar dhe ky trend, sipas BQK-së, është pasojë e zhvillimeve të eurozonë.

“Trendi u përkeqësua dukshëm në vitin 2012, duke arritur në rreth 5 për qind të PBB-së. Ky përkeqësim i trendit dëshmon për ndjeshmërinë që kanë investimet e huaja direkte ndaj zhvillimeve në ekonomitë e vendeve të eurozonës, të cilat njëkohësisht paraqesin burimin kryesor të investimeve të huaja direkte në Kosovë. Ndjeshmëria e investimeve të huaja direkte ndaj zhvillimeve në eurozonë ilustrohet edhe me faktin se investimet tjera kanë shënuar rënie më të theksuar prej 46.6 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së.

Raporti i BQK-së thotë se investimet e huaja direkte në Kosovë janë përqendruar kryesisht në sektorët e ekonomisë, si patundshmëritë (31.7 për qind), ndërtimtaria (20.8 për qind), prodhimtaria (12.1 për qind), sektori financiar (10.4 për qind), transporti e telekomunikacionit (7.9 për qind), etj.

R.M.