Riaktivizohet lobi shqiptar në SHBA

Uashington,29 prill 2021 – Sistemi politik amerikan u mundëson qytetarëve pjesëmarrjen në procese vendim-marrëse, përmes ndikimit ose lobimit në çështje të caktuara. Komuniteti shqiptaro-amerikan ka qënë shumë aktiv, kur Kosova po luftonte për liri dhe pavarësi. Por pas arritjes së këtij synimi, angazhimi sikur u zbeh. Kohët e fundit, një grup veprimtarësh synojnë të rigjallërojnë përpjekjet lobuese. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, veprimtari Martin Vulaj shpjegon misionin dhe synimet e organizatës “Kongresi Panshqiptar Amerikan”.

Paqëndrueshmëria politike dhe ekonomike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi nxiti riorganizimin e disa lobistëve të njohur shqiptarë në ShBA, nën ombrellën e një organizate të re, të quajtur “Kongresi Panshqiptar Amerikan”.

Synimi i tyre është kthimi i ndikimit që shqiptarët kishin në politikën amerikane gjatë viteve 90.

“Dikur pas vitit 2000 konsideroheshim si lobi i katërt më i fuqishëm në Shtetet e Bashkuara. Por, pas pavarësimit të Kosovës ndodhi një zbehje dhe një shuarje e aktivitetit struktural , thotë Martin Vulaj, anëtar i bordit të Kongresit Panshqiptar Amerikan.

Anëtari i bordit të kësaj organizate, Martin Vulaj, thotë për Zërin e Amerikës se misioni i tyre nuk është vetëm lobimi për çështje të caktuara, por edhe informimi i politikbërësve amerikanë për situatën në rajon dhe promovimin e vlerave shqiptare. Ai shton se angazhimi në këtë kohë është i domosdoshëm, pasi sipas tij, vendet e rajonit po vënë themelet e së ardhmes së tyre.

“Në qoftëse më duhet të përdor vetëm një fjali, është të sigurohemi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta kenë në vëmendje botën shqiptare. Dhe kjo i përfshin të gjitha nën-çështjet. Nën-çështje është ndihma e zhvillimit ekonomik, që është e domosdoshme, që të mundësohet integrimi i atij rajoni në Evropë. Përfundimin e shtetësimit të Kosovës me të gjitha çeshtjet dhe sfidat që ka Kosova si dialogu, marrëdhëniet me Evropën, droja se Amerika ia ka lënë në dorë komplet Evropës, procesin e Kosovës. Evropa nuk i shikon shqiptarët si Amerika”, thotë ai.

Zoti Vulaj nuk mendon se është zbehur interesimi i ShBA-së për rajonin, por shton se prioritetet e saj edhe mund të ndryshojnë, prandaj organziata synon të jetë kujdestare e miqësisë dhe angazhimit amerikan.

“Sidomos në këtë kohë me sfidat e mëdha që ka Amerika, me sfidat nga Kina, Rusia, apo problemet me Iranin. Ndërsa ne shqiptarët nganjëherë harrojmë se nuk jemi epiqendra e botës, jemi në një cep të vogël, që pak kush në këtë qytet këtu në Uashington di shumë për ne. Puna jonë është të tërheqim vëmendjen dhe të sigurohemi se Shtetet e Bashkaura do të mbesin të angazhuara në zhvillimin e rajonit”, shton zoti Vulaj.

Veçanërisht në Kosovë me ardhjen e Presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë u rritën edhe pritshmëritë nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, në Kongresin Panshqiptar Amerikan mendojnë se kjo marrëdhënie duhet ushqyer.

“Nuk ka dyshim se Presidenti Biden ka një histori të lavdishme karshi interesave tona dhe marrëdhëniet e tij jo vetëm me komunitetin por edhe me rajonin. Problemi është se unë besoj se është shumë gabim të përqëndrohemi në këto emocione që ekzistojnë, sepse si president i Amerikës ai duhet të shikojë interesat e Amerikës dhe sfidat që i ka edhe problemet janë shumë më të mëdha sesa problemet që kemi ne. Besoj se është gabim nëse strategjia jonë varet në këto emocione që ka presidenti. Ky president ka qenë edhe zv. president, për tetë vjet në një kohë kur Shtëpia e Bardhë nuk është marrë fare, ose minimalisht me Shqipërinë dhe Kosovën. Nuk është se interesat nuk kanë qenë, por ka pasur prioritete tjera. Dhe kjo ka ndodhur në një kohë kur nuk ka ekzistuar elementi i ndikimit të diasporës”, thotë zoti Vulaj.

Zoti Vulaj thotë se mënyra më e mirë e komunikimit me udhëheqësit shqiptarë janë kanalet institucionale, duke mos u dhënë rëndësi emrave. Në këtë mënyrë thotë ai, shmangen sfidat që mund të vijnë nga krizat politike në rajon.

“Ne duhet të krijojmë marrëdhënie strukturale mes diasporës dhe shtetit, që nuk varen prej individit, nuk varen prej partive, nuk varen as prej individëve këtu. Por të ngrejmë këto struktura që të kemi synime afatgjata dhe komunikim të vazhdueshëm, pavarësisht se kush është në këtë karrige dhe kush është në atë karrige. Institucionalizimi i marrëdhënieve, është mënyr e vetme që mund të avancojmë”.

Sipas veprimtarit Vulaj Kongresi Panshqiptar Amerikan synon t’i përfaqësojë të gjithë shqiptarët.

“Nuk e kemi krijuar këtë organizatë të sfidojmë të tjerët, por të bashkëpunojmë me të tjerët. Synimi ynë është të përfshijmë sa më shumë jo vetëm organziata, por edhe individë nga të gjitha qendrat shqiptaro-amerikane që ekzistojnë në Shtetetet e Bashkuara. T’i anëtarsojmë, që të kemi me dhjetëra mijëra anëtarë dhe të përpunojmë të gjitha detajet e demografisë së tyre. Ku banojnë, cilës parti i takojnë; a votojnë; nuk votojnë; a janë të regjistruar; sepse kur vijnë fushatat e ndryshme në Shtetet e Baashkuara të dijmë se cilin komunitet mund ta aktivizojmë, sa anëtarë kemi aty, cili ligjvënës i përfaqëson ose zgjedhjet presidenciale që kemi parë këto zgjedhjet e kaluara kemi parë se shqiptarët ksihin ndikimd”, përfundon zoti Vulaj.

Para më shumë se një muaji Kongresi Panshqiptar Amerikan hapi zyrën në kryeqytetin Uashington, ndërsa kanë filluar aktivitetet dhe takimet e para me zyrtarë të lartë të shtetit amerikan.

https://www.zeriamerikes.com/a/5871562.html

(Burim Goxhuli, Zëri i Amerikës)

Comment

*