Rihapen vendkalimet kufitare veriore të Kosovës me Serbinë

Prishtinë, 30 dhjetor 2022 – Policia e Kosovës tha se të premten u hapën vendkalimet kufitare veriore me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat mbetën të mbyllura për rreth tri javë për shkak të bllokimit të rrugëve në zonë nga grupe qytetarësh serbë.

“Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot në orët e pasdites janë hapur për qarkullim”, thuhet në një komunikatë të policisë së Kosovës.

Hapja e këtyre vendkalimeve pasoi largimin e bllokadave nga rrugët e pjesës veriore, të cilat u mbyllën nga grupe serbësh me 10 dhjetor në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish polici serb nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve.

Dy ditë më parë i arrestuari u lirua dhe të enjten pasdite filloi largimi i bllokadave në veri, një lëvizje që u mirëprit nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian si një shenjë e uljes së tensioneve që nxitën shqetësimin për ripërtëritjen e konfliktit ndërmjet dy vendeve ballkanike.

Muaji janar pritet të jetë periudhë e përpjekjeve të reja diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe shmangien e ripërtëritjes së tensioneve ndërmjet tyre.

(Zëri i Amerikës)