Rihapet Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok

Prishtinë, 30 shtator 2021 – Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Kosovës njoftoi të enjten se Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok, e cila ishte djegur më 25 shtator është rihapur në objektin e stacionit policor në këtë komunë.

Më 25 shtator, kjo qendër që gjendej në objektin e Komunës së Zubin Potoku ishte djegur, ndërsa Qendra për Regjistrim Civil në Zveçan ishte sulmuar, Kosova fajësoi Beogradin për këto dy incidente.

“Ky është një objekt i adaptuar për të ofruar shërbime të menjëhershme qytetarëve që kanë nevojë për të marrë shërbime, deri në funksionalizimin e plotë të objektit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, i cili u shkatërrua si pasojë e një sulmi kriminal, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës më 20 shtator, për vendosjen e targave të përkohshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

https://bit.ly/3meSKAo

Njoftimi për rihapjen e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok erdhi pak para se të njoftohej se në Bruksel është arritur një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për shtendosjen e situatës në pjesën veriore të Kosovës. 

Sipas marrëveshjes, prej 4 tetorit mbi simbolet shtetërore të të dyja vendeve në targat e automjeteve do të vendosen letra ngjitëseve. Kjo praktikë do të aplikohet deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

Një grup punues, i cili do të fillojë punën më 21 tetor, do të punojë për gjetjen e zgjidhjes së përhershme të mosmarrëveshjeve për targat.

Besohet se kjo marrëveshje do të shtendosë situatën në pjesën veriore të Kosovës.

Prej 20 shtatorit, kur u vendos masa e reciprocitetit për targat me Serbinë, serbët lokalë i kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak.

Prishtina e dërgoi njësinë speciale të policisë në dy vendkalimet kufitare për zbatuar reciprocitetin dhe për të mbrotjtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Serbia u kundërpërgjigj me shtimin e forcave ushtarake në zonën kufitare me Kosovën.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe NATO, kërkojnë shtendosjen e situatës në veri të Kosovës  dhe u bënë thirrje palëve që të gjitha çështjet e hapura midis tyre t’i zgjidhin me bisedime.

(r.m.)

Comment

*