Rikthehet shqetësimi i zjarreve në Shqipëri

Autoritetet në Shqipëri thonë se zjarrvënia e qëllimshme apo nga pakujdesia ka rikthyer shqetësimin serioz për gjendjen e zjarreve në vend. Zyrtarët vërejnë se dhjetëra trupa të ushtrisë janë në operacione për shuarjen e flakëve. Shqetësimi është rikthyer gjithashtu në Malin e Runës përmbi Tunelin e Kalimashit.

Knid Ndrenika

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri riktheu shqetësimin e madh për gjendjen e zjarreve në mbarë vendin.

Shqetësimin më të madh e ka zona e Pukës në Malin e Tërbunit si dhe Mali i Rrunës përmbi Tunelin e Kalimashit në Rrugën e Kombit.

Dhjetëra efektivë të ushtrisë janë përfshirë në operacione për shuarjen e zjarreve si dhe vullnetarë dhe struktura civile për të mbrojtur kurorën pyjore të Pukës, Kukësit si dhe të Korçës nisur nga Voskopoja.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Korçë, Koço Cicko vëren se problemin madhor e ka zjarrëvënia me qëllim apo nga pakujdesia:

“Për fat të keq zjarrfikëset nuk bëjnë shumë punë këtë situatë. Jemi futur me trupa tokësore nga të gjitha krahët derisa kemi arritur mbylljen e pjesës qendrore të zjarrit. Jemi afër fikjes së zjarrit. Të paktën e kemi nën kontroll. Dëmi është i dukshëm. Afërsisht 100-110 hektarë të përshkruar nga zjarri. Është ose zjarrëvënie e qëllimshme, ose nga pakujdesia. Nuk merr vetë zjarr vegjetacioni”.

Trupat e ushtrisë kanë hyrë gjithashtu për të ndihmuar në shuarjen e flakëve të zjarreve në fshatin Patale të Lezhës.

Thuajse 40 trupa të ushtrisë janë përfshirë në operacione për shuarjen e zjarreve në fshatin Thirrë të Lezhës dhe gjithashtu edhe helikopterët.

RAPORTI I FUNDIT NGA MINISTRIA E MBROJTJES

Vijon pa u ndalur puna për shuarjen e zjarreve në vend. Aktualisht po punohet për vatrën e shfaqur në anën tjetër të Malit të Tërbunit, e cila është zhvilluar nën ndikimin e erës.

-42 efektivë të FA dhe rreth 30 forca të pushtetit vendor po punojnë për vatrat e zjarrit në fshatin Flet në bashkinë e Fushë-Arrëzit dhe në fshatin Dardhë ku situata është delikate dhe po punohet nga ajri me helikopterin tonë për ta izoluar.

-Në fshatin Thirrë aktualisht situata është më e qetë dhe punohet për vënien nën kontroll të vatrave, ndërkohë vijon sërish operacioni nga toka dhe ajri.

-Në qarkun e Lezhës ditën e djeshme është arritur 60% e izolimit te vatrave, ndërsa në bashkinë e Mirditës vatra e zjarrit është me intesitet të ulët.

-Në “Majën e Rrunës“ situata e vatrave të zjarrit vazhdon të jetë problematike. Terreni i vështirë nuk e ka ndaluar punën e efektivëve, të cilët vijojnë edhe sot të punojnë nga toka për vënien nën kontroll të disa prej vatrave.

-Në fshatin Kaçni në Dibër, gjatë natës zjarri është zhvilluar në dy vatra dhe falë punës së efektivëve është mundësia që deri në fund të ditës së sotme të izolohet.