Rita Ora në pullat postare të Kosovës

Prishtinë, 25 nëntor 2022 – Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora, është bërë pjesë e thesarit të pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës.

Posta e Kosovës njofton se pulla me imazhin e Orës do të lëshohet në qarkullim postar të shtunën, më 26 nëntor, me rastin e ditëlindjes së saj.

“Për më shumë se dhjetë vite në majat më të larta të skenës muzikore dhe artistike ndërkombëtare, ajo shfrytëzoi çdo rast që përmes famës së vet të promovojë vendin e saj të lindjes, Kosovën, si dhe tërë kombin shqiptar. Ajo ishte frymëzimi i parë për të rinj e të reja që të ndjekin dhe t’i bëjnë realitet ëndrrat e tyre edhe përtej kufijve të trojeve shqiptare”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.

“Ajo e bart me meritë titullin Ambasadore Nderi e shtetit të Kosovës që nga viti 2015. Me diplomacinë e saj kulturore vazhdon të kontribuoj për imazhin e të gjithë shqiptarëve. Filatelia e Postës së Kosovës ka nderuar dhe promovuar për mbi njëzet vite personalitete të shquara të kulturës sonë e këtë do ta bëj edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, ka shprehur mirënjohje për Rita Orën.

“Është një nder për Postën e Kosovës të nderojë Rita Orën. Ajo na ka dhuruar aq shumë momente të bukura dhe krenari të pafund me këngë, performancë dhe koncerte madhështore. Kjo pullë e bukur le të jetë edhe si dhuratë simbolike e Kosovës për këngëtaren tonë, në këtë ditë të veçantë për të, për kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe kombin tonë”, ka thënë Kadiu.

Gjatë karrierës së saj të pasur, Rita Ora ka fituar çmimet më prestigjioze në botën e muzikës.

(r.m.)