Rizvanolli: Situata energjitike në Kosovë – më e rëndë se sa është planifikuar

Prishtinë, 23 dhjetor 2021 – Kosova është duke u përballur me vështirësi në sigurimin e energjisë elektrike dhe situata është më e rëndë se sa është planifikuar, ka thënë të enjten ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Situata është përkeqësuar nga java në javë dhe nga dita në ditë. Mosoperimi i plotë i kapaciteteve gjeneruese në Korporatën Energjike të Kosovës, ka qenë një faktor që e ka bërë situatën më të keqe sesa që e kemi vlerësuar paraprakisht. Përveç kësaj, situata është rënduar edhe në tregjet ndërkombëtare. Prandaj po e gjejmë veten në situatë më të rënduar, e më të rënduar”.

Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë ditëve të fundit ka shënuar rritje për 14 për qind.

Ky konsum nuk mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Në tregun botëror çmimi është shtrenjtuar dukshëm, por edhe procesi i importit është vështirësuar për shkak të mungesës së këtij produkti në shtetet tjera.

“Në kushte normale, vitin e kaluar çmimi ka qenë 69 euro për megavat. Më 21 dhjetor ky çmim ka arritur në 420 euro për megavat”, ka thënë Rizvanolli.

Duke bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike, konkretisht te konsumatorët e amvisërisë, Rizvanolli ka thënë se reduktimet janë e vetmja zgjidhje në këtë situatë.

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, ka thënë se aktualisht në funksion janë tri njësi të Termocentralit “Kosova A” dhe një bllok i Termocentralit “Kosova B”.

“Pritet që më 20 janar të vitit 2022 të kthehet në funksion edhe një bllok te Kosova B”.

Përshkak të krizës energjetike qytetarët në Kosovë, nga e mërkura e 22 dhjetorit, përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Reduktimet u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut – KOSTT, për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik.

Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm.

Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

(REL)