Romani “Rikthim në Ventotene” një pasqyrë e ëndrrës europiane të shqiptarëve

Dr. Alisa Velaj*

Të përpiqesh të ndërtosh historinë e një kombi nëpërmjet letërsisë është padyshim një akt sa i lartë, po aq dhe tepër i ndërlikuar. Laureta Petoshati ka ditur ta realizojë në mënyrë mjeshtërore të gjithë këtë proces. Libri që keni në duar, “Rikthim në Ventotene” është fryt i një pune të palodhshme hulumtuese disavjeçare në lëmin e historisë dhe për më tepër në hulumtimin dhe gjurmimin e përpjekjeve të intelektualëve shqiptarë të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kryesisht atyre të internuar nga fashizmi në ishujt e Italisë, si pjesë e debatit për përpilimin e dokumentit historik si Manifesti i Ventotenes që do të ishte bërthama e realizimit të ëndrrës së Europës së Bashkuar. Të gjithë këta intelektualë nuk hamendësohen, ata janë realë. Ngjarjet, datat, emrat, vendet janë të vërtetë. Kemi një roman historik të ngritur jo nga zbukurimet dhe hamendësimet, por nga realiteti. Kuptohet se e gjithë kjo punë studimore e autores së këtij libri nuk do te vlente aq tepër nëse nuk do të ndërthurej me stilin e përkorë të të shkruarit dhe kompozicionit tepër kompakt të veprës. Petoshati di të rrëfejë dhe të rrëfejë mirë madje, Bën përshkrime të njerëzve dhe të natyrës me një realizëm psikologjik, ku spikasin përshkrimet e detit që janë të jashtëzakonshme. Madje dhe dialogët me karakter epistemologjik nuk janë të pakët në vepër. Ajo, madje guxon të marrë përsipër çështje, për të cilat ka edhe arsyetimin dhe këndvështrimin e saj shumë origjinal.
Ky mozaik i jetës shqiptare në bashkëveprim me kombe e popuj të tjerë, për më shume se një shekull, ngërthen në vetvete dramën e madhe të kombit tonë përgjatë historisë, drama të shkaktuara nga gabimet politike të kohës kur ndodhin dhe drama të shkaktuara nga vetë shqiptarët! Por brenda këtyre ngjarjeve të mëdha marrin trajtat e tyre të mirëfillta edhe histori të tjera “më të vogla njerëzore” që i gërshetohen veprës në një mozaik të përkorë. Janë përjetimet e njerëzve të thjeshtë në jetën e tyre personale, dashuritë, tradhtitë, humbjet e njerëzve të dashur që i japin narracionit limfë jetësore dhe zhdërvjelltësi .
Në mënyrë specifike do doja të ndalesha në tri aspekte të këtij romani.
Së pari, në këtë tekst nuk ekziston qoftë edhe në një rresht të vetëm ajo që mund të etiketohet si patriotizëm i tepruar. Përherë e më tepër në shkrime apo trajtime të ndryshme në shtyp botohen hipoteza nga më të ndryshme për çështjen shqiptare, historinë, prejardhjen e këtij populli, lashtësinë, traditat e të parëve etj, të gjitha këto të paraqitura shpesh në një dritë joshkencore, dhe në vend që të ndihmojnë duket se e bëjnë akoma më lëmsh atë problem të cilin trajtojnë. Laureta Petoshati ka dhënë një pasqyrë të mjaft periudhave historike shqiptare, duke u mbështetur me një saktësi të pashoqe në dokumente dhe arkiva origjinale, të cilat nuk lënë vend për dyshime apo këndvështrime të njëanshme. Nga ana tjetër, ajo hedh në libër hipoteza të ndryshme mbi shpjegimin e mjaft fjalëve apo termave të tjera me anë të gjuhës shqipe. Lidhur me këtë të fundit çdo lexues vlerëson dhe gjykon sipas formimit të vet.
Së dyti, në këtë roman ritrajtohet ajo lloj lënde që çerek shekulli më parë është servirur prej shkrimtarit Petro Marko në romanin “Nata e Ustikës”, vëllazërimi ndërmjet popujve. Në rastin e Petoshatit ajo e rimerr këtë temë duke e zhvendosur paralelisht në Ventotene dhe Renicci di Anghiari në Arezzo mes jetës së internuarve me kombësi të ndryshme dhe në jetën qytetare të Vlorës, ku bashkëjetesa ndërmjet vendasve, italianëve dhe hebrenjve ka qenë e shkëlqyer. Kemi këtu fenomenin e heterotopisë, pra vende të ndryshme dhe shumë grupime njerëzish që gjejnë mes vedi atë që i bashkon dhe jo atë që i ndan. Jehonë i bëhet në këtë vepër edhe shprehjes së famshme të Pashko Vasës se “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Është po Vlora ku të krishterë e myslimanë jetojnë në një harmoni të plotë dhe janë përherë në unitet në çastet vendimtare të kombit tonë.
Së treti, ky libër shpalos ëndrrën shumëpërmasore të popullit tonë për liri dhe përparim shoqëror, ku kjo liri e tij jepet nga autorja si një ideal që duhet të jetësohet patjetër, si një parim absolut dhe universal. Flasim për liri të fjalës, së pronës, së jetës dhe te liria e fjalës futet dhe ajo e besimit, ndërsa përparimi shoqëror jepet si pjesë e ëndrrës për të hyrë në familjen e madhe evropiane, si i barabarti mes të barabartëve.
Diktatura komuniste, si nata më e errët e popullit shqiptar, ajo që i ndau trojet siç ndan vetëtima qiellin në copa, duke lënë qëllimisht jashtë trungut amë Kosovën martire, përbën një nga analizat më të thella të këtij romani. E veçanta qëndron në faktin se kjo vepër nuk ka dhënë thjesht pasojat e këtij gjysmëshekulli ogurzi, si ka ndodhur rëndom në tekste të tjerë të letërsisë shqipe, por është orvatur së tepërmi të gjejë edhe shkaqet. Këto shkaqe jo vetëm që janë shume tronditëse në vërtetësinë e tyre, por janë analizuar me një mendjemprehtësi të rrallë. Diktatori dhe diktaturat, vrasësi dhe të vrarët, prapaskenat e hidhura që çuan drejt një errësire nga më të tmerrshmet në rruzullin tokësor. Një Makbeth si Enver Hoxha që luajti një tragjikomedi nga më rrëqethëset. Figura e tij zbërthehet në plan personal dhe lidhur ngushtë me rrethanat historike, jo vetëm ato që e ngjitën në pushtet, por edhe ato rrethana që ai vetë provokoi për të mirën e atyre që e kurorëzuan mbret, dhe në kurriz të një populli nga më autoktonët në Europë.
Gjuha që përdor autorja në vepër është në përputhje të plotë me gjendjet që përshkruhen ne tekst. Ngjarjet historike rrëfehen me një gjuhë të dhimbshme, ku ironia bëhet jo rrallë bërthamë e saj, madje shpeshherë arrin deri në një gjuhë të fortë satirike. Historitë e dashurisë ndërmjet personazheve na vijnë me një gjuhë të ngrohtë e burimore, plot dehje shpirtërore e aroma epshndjellëse! Libri i bën himn jetës dhe dashurisë njerëzore. Personazhet janë pjesë e një familjeje, por ato zhvendosen për të treguar se dhe Shqipëria, madje Europa dhe gjithë bota është një familje e madhe ku të gjithë njerëzit duhet të jetojnë me dashuri, respekt e me humanizëm ndaj njëri-tjetrit.
Të gjitha sa përmendëm më lart, por edhe mjaft probleme të tjera, të cilat trajtohen nga ky roman, do të bëhen më të qarta për lexuesin, kur ai pa dyshim, do t’i ketë përpirë me një frymë këto faqe të shkruara me mjeshtëri të lartë artistike nga shkrimtarja Laureta Petoshati.
Lista e vendosur tek epilogu, tregon, me fakte përfundimin tragjik të personazheve, që në këtë rast realë, ish të internuar në Ventotene:
1. Llazar Fundo, i rrahur barbarisht dhe i pushkatuar pa gjyq me urdhër të Enver Hoxhës.
2. Stavro Skëndi, dënuar në mungesë dhe arratisur në Itali e pastaj Sh.B.A ku punoi profesor universiteti.
3. Isuf Luzaj,- dënuar në mungesë dhe arratisur në Itali e pastaj Sh.B.A ku punoi profesor universiteti.
4. Fazlli Frashëri – pushkatuar pa gjyq me urdhër të Enver Hoxhës.
5. Selman Riza, – dënuar e përndjekur nga regjimi i Enver Hoxhës.
6. Safet Butka, vetëvrarë për të mos rënë në duar të komunistëve të Enver Hoxhës që e kishin rrethuar.
7. Izet Bebeziqi – dënuar me burg dhe i përndjekur nga regjimi i Enver Hoxhës
8. Abaz Ermenji – dënuar në mungesë dhe arratisur në Francë.
9. Ndue Pali – i pushkatuar si antikomunist me urdhër të Enver Hoxhës
10. Myzafer Pipa – i pushkatuar si antikomunist me urdhër të Enver Hoxhës
11. Sinan Gjoni – i pushkatuar nga klika Xoxe-Hoxha.
12. Gani Kryeziu – torturuar e vdekur në burgjet e ish Jugosllavisë nga klika e Tito-Rankoviçit.
13. Hasan Kryeziu – pushkatuar nga klika e Tito-Rankoviçit.
14. Said Kryeziu – arratisur në Itali e pastaj Sh.B.A.
15. Zef Mala – i burgosur dhe i internuar disa herë nga regjimi i Enver Hoxhës, vdekur në burg.
16. Maku Koçi – burgosur mbi 20 vjet nga regjimi i Enver Hoxhës, vdekur në vetmi në një azil pleqsh.
17. Abdurrahman Kreshpani – internuar që 16 vjeç në Ventotene dhe që mbas moshës 20 vjeç është burgosur me dënime të rënda nga regjimi i Enver Hoxhës.
(*Dr. Alisa Velaj është pedagoge e letërsisë bashkëkohore në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit)