Rreth 10 mijë shqiptarë jetojnë në Finlandë

Shqiptarët në Finlandë janë një komunitet aktiv, me organizime kulturore, takime dhe menaxhimin e shkollave të mësimit të gjuhës shqipe. Në Finlandë janë krijuar disa shoqata shqiptare të cilat luajnë një rol kyç në ruajtjen e identitetit, gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare.

Kur emigruan shqiptarët në Finlandë?

Fluksi më i madh i emigrimit të shqiptarëve në Finlandë ka nisur gjatë viteve 1992 – 1993. Duke u bazuar në bisedat me të ardhurit e asaj kohe mendohet se numri i tyre ka qenë rreth 2000 ndërsa nga statistikat zyrtare të Finlandës në bazë të gjuhës, në vitin 1993 kanë qenë 1748 shqip-folës. Shumica e të ardhurve gjatë kësaj kohe janë paraqitur si azilkërkues për qëllime politike për shkak të situatës në Kosovë.

Një fluks tjetër ishte edhe ai gjatë luftës në Kosovë. Më pas nuk ka pasur ndonjë fluks të madh përveç shtimit të popullatës nga lindjet, bashkimi familjar, çështjet e punësimit etj.

Edhe pse vetë qytetarët shqiptarë që jetojnë në Finlandë japin mendime të ndryshme rreth numrit të përafërt të tyre, ende nuk janë gjetur statistika të sakta që bëjnë klasifikimin në shqiptarë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë si dhe trojeve tjera shqiptare. Një ndër shkaqet kryesore të mos ekzistimit të këtyre statistikave ka ndikuar edhe shtetësia e shqiptarëve nga Kosova pasi shumica prej tyre kur kanë ardhur në fillim janë regjistruar me shtetësi jugosllave dhe me pas në fluksin e dytë me shtetësi serbo-malazeze ndërsa pas vitit 2008 edhe pse Finlanda ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur dhe e ka futur në listën e regjistrimit, ende nuk është kompletuar një regjistrim i plotë.

Të dhënat nga qendra e statistikave finlandeze (Tilastokeskus) tregojnë se shqiptarët janë komuniteti i tretë më i madh në provincën e Varsinais-Suomi, në jugperëndim të Finlandës, pas komunitetit rus dhe estonian. Në zgjedhjte lokale të vitit 2017 figuronin të rregjistruar me të drejtë vote 3228 shqiptar.

Për të pasur një përfundim më të saktë rreth numrit të shqiptarëve në Finlandë figurojnë disa statistika të Finlandës në bazë të gjuhës të cilat i kemi siguruar nga qendra e statistikave (Tilastokeskus). Deri në fund të vitit 2016, gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare e flasim 9 791 banorë. Në këtë grup hyjnë të gjithë banorët shqip-folës të cilët vijnë nga trojet shqiptare, ata të cilët kanë marrë nënshtetësi finlandeze si dhe fëmijët që kanë së paku një prindër shqip-folës. Duke u bazuar nga këto statistika sipas gjuhës dhe duke bërë krahasimin me statistikat e shqiptarëve si banorë të huaj në Finlandë, arrihet në përfundim se shumica prej tyre vijnë nga Kosova ndërsa si përfundim i përgjithshëm rezulton se në Finlandë jetojnë rreth 10 000 shqiptarë.

diasporashqiptare