Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale – zhgënjyes për Vetëvendosjen

Prishtinë, 17 tetor 2021 – Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovë ishte zhgënjes për Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas rezultateve të publikuara në web-faqen e Komisionit Qendror Zgjedhor, asnjëri nga kandidatët e kësaj partie për kryetarë të komunave nuk ka fituar në këtë rreth të votimit.

Partisë së kryeministrit Albin Kurti, e cila kishte shënuar fitore spektakolare në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti, në rrethin e dytë të zgjedhjeve i mbetet të luftojë për kryetarë të 12 komunave. Në 3 komuna kandidatët e Vetëvendosjes janë në epërsi ndaj rivalëve të tyre (Prishtinë, Prizren e Shtime), kurse në 9 të tjera kandidatët e saj renditen në pozitën e dytë (Gjilan, Gjakovë, Podujevë, Rahovec, Fushë Kosovë, Viti, Kamenicë, Kaçanik dhe Obiliq).

Tri partitë opozitare (PDK, LDK dhe AAK) kanë arsye të festojnë. Në rrethin e parë të zgjedhjeve, ato fituan në 8 komuna.

PDK-ja doli fituese në 4 komuna: Mitrovicë Jugore (Bedri Selmani), Ferizaj (Agim Aliu), Skenderaj (Fadil Nura) dhe Han i Elezit (Mehmet Ballazhi). Në rrethin e dytë PDK-ja do të vazhdojë garën për kryetarë në 7 komuna: Prizren, Vushtrri, Drenas, Klinë, Shtime, Kaçanik dhe Dragash.

LDK-ja i fitoi 2 komuna në rrethin e parë: Pejën (Gazmend Muhaxheri) dhe Lipjanin (Imri Ahmeti), ndërsa në rrethin e dytë synon t’i fitojë edhe 8 komuna: Prishtinën, Gjilanin, Podujevën, Vushtrrinë, Fushë Kosovën, Vitinë, Dragashin dhe Junikun.

AAK-ja doli fituese në 2 komuna: Suharekë (Bali Muharremaj) dhe Deçan (Bashkim Ramosaj). Në rrethin e dytë do të synojë të fitojë edhe në 5 komuna: Gjakovë, Klinë, Istog, Rahovec e Junik.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve do ta vazhdojnë garën për kryetarë të komunave edhe 4 kandidatë të subjekteve tjera: një kandidat i Nismës (Malishevë), një kandidat i Partisë Socialdemokrate (Kamenicë) dhe dy kandidatë të nismave qytetare (Obiliq dhe Drenas).

Lista Serbe, e cila pothuajse nuk kishte fare konkurrencë, i ka fituar që në rrethin e parë 9 komuna me shumicë serbe (Mitrovicën Veriore, Zveçanin, Leposaviqin, Zubik  Potokun, Graçanicën, Novobërdën, Shtërpcën, Ranillugun dhe Parteshin). Vetëm në komunën e Kllokotit do të zhvillohet rrethi i dytë i votimit, ku kandidati i Listës Serbe do ta garojë me kandidatin e një nisme qytetare.

(r.m.)

Comment

*