Rreziku i qeverisjes “me sugjerime nga populli”

Nga Ruben Avxhiu

Nuk jam i vetmi josocialist që ka ndjerë kënaqësi kur kryeministri, në ikje dhe në ardhje, Edi Rama, deklaroi largimin nga puna të punonjësve të administratës që kishin sjellë kot vërdallë prej vitesh një gjyshe 82 vjeçare.
Ne duam një administratë më të përgjegjshme e më të njerëzishme që vjen vetëm duke përjashtuar e ndëshkuar abuzuesit brenda saj. Duke bërë disa njerëz shembull mund të fillojë, prej frikës a turpit, në mos prej frymëzimit, që të ndryshojë edhe mentaliteti mbizotërues.
Mirëpo, disa raste, mbase të merituara, nuk përjashtojnë dyshimin tim të thellë se kjo fushatë pas fushate e kryeministrit Rama mund të sjellë më shumë dëm sesa përmirësime në Shqipëri.
Shqipëria nuk ka nevojë për një padishah që ulet gju më gju me popullin dhe ua zgjidh hallet. Rama rrezikon t’u shëmbëllejë të gjitha karikaturave nga e kaluara me të cilët është tallur në jetën e tij parapartiake. Shqipëria ka nevojë për një sistem drejtësie e kërkese llogarie që funksionon. Për abuzime si ato që denoncoi dhe ndëshkoi Rama, duhet të veprojë jo “i pari i shtetit”, po hallkat e ulëta të kontrollit të administratës dhe sistemit juridik. Se si i bëhet me mijëra gjyshe e qindramijëra hallexhinj të tjerë që nuk kanë shansin t’u bjerë llotaria që ta takohen me Ramën?
Ndërmjet qytetarit të thjeshtë dhe kryeministrit duhet të ketë dhjetëra, në mos qindra mekanizma pushteti që duhet të funksionojnë për të vendosur rregull e drejtësi në administratë. Nëse puna vjen që duhet ta zgjidhë kryeministri atëhere sistemi ka dështuar dhe përgjegjës për sistemin është vetë ai që po merr meritën për përjashtimet.
Rama ka të drejtë kur thotë se drejtuesi mban përgjegjësi për vartësit e tij që sollën vërdallë gjyshen e lartpërmendur për një dokument që i takonte ta merrte. Mirëpo, sipas të njëjtës llogjikë, po kështu ka përgjegjësi superiori i atij vartësi e me radhë deri te kryeministri. Thotë populli se peshku qelbet nga koka.
Më e keqja akoma, eliminimi i rëndësisë së hallkave të shtetit e pushtetit për të krijuar lidhjen direkte personale ndërmjet kreut të shtetit dhe “popullit” është përkufizimi i çdo diktature. Çdo mekanizëm apo figurë që qendronte mes Enver Hoxhës dhe “popullit” apo Stalinit, Maos etj dhe “masave punonjëse” ishte lehtësisht e çmontueshme apo e asgjësueshme. (Madje koha tregoi se lartësia nominale në pushtet, në kohën e komunizmit në Shqipëri, ishte shumë më e rrezikshme se notimi diku nga ujërat e ndenjura të niveleve të mesme të shkallës shoqërore. )
Sigurisht, pavarësisht nga akuzat për “bijtë e etërve”, “djemtë e bllokut” etj, Shqipëria e sotme nuk guxon të bëhet diktaturë sepse varet shumë nga marrëdhëniet me Perëndimin, që për momentin mund të tolerojë vetëm një autoritarizëm të lehtë. As nuk mund të themi se u vendos diktatura tani se Rama hoqi dy-tre funksionarë që mbase e meritonin të hiqeshin.
Mirëpo, shikoni funksionimin e skenës. Bëhet akuza publike në sy të kryeministrit. Nuk ka version të mbrojtjes. Nuk ka dëgjim të palës së akuzuar. Nuk ka pafajësi deri në provim të fajësisë. Nuk dihet nëse vetë shkarkimi është uzurpim i detyrës sepse nuk ka ndërhyrje apo opinion nga ministri apo drejtuesi përkatës që mund t’i takojë me ligj të bëjë shkarkimin.
Çdo qytetar mund të ngrihet e të bëjë një akuzë të rreme kundër një funksionari, duke përfituar nga një kryeministër i prirur për të zgjidhur personalisht “hallet e popullit”. Dihet neveria me të drejtë ndaj abuzimeve të funskionarëve të administratës. Në mungesë të një mbrojtjeje publike, i akuzuari është automatikisht fajtor. Shpesh madje i pafajshmi do të mundohet jo të mbrojë veten se “udhëheqësi” ka nevojë për tani për një shkarkim publik, por të negociojë me lutje për një punësim diku tjetër. Përgjërimi dhe nënshtrimi ndaj kryeministrit zëvendëson frikën nga ligji dhe dinjitetin njerëzor.
Sikur të mos mjaftonin këto, ka nisur nisma e çmendur që populli jep sugjerime se çfarë duhet bërë e si duhet qeverisur. Populli bën zgjedhje pikërisht që të mos merret me qeverisjen e vendit. Së fundi, sapo zgjodhi 140 vetë që ta përfaqësojnë në një institucion që e quajmë Kuvend. Ku mund të kuvendohet për të gjitha ato që është kurreshtar Rama.
Ka një administratë dhjetëramijëra vetësh, disa të paheqshëm nga puna përveçse me gjyq ndërkombëtar, ka dhjetëra mijëra ekspertë në fusha të ndryshme, institucione studimore, organizata joqeveritare që bëjnë lobim për aspekte të ndryshme të qeverisjes dhe ligjit. Ka organizata profesionistësh, rajonale, shoqërore etj që përfaqësojnë segmente të ndryshme të shoqërisë.
Nëse Rama kërkon ide dhe këshilla ai ka një mori të pafundme burimesh që të ushqehet, duke lënë mënjanë faktin më tronditës se dikush që kandidon për kryeministër e di se çfarë kërkon populli ndaj edhe kandidon.
Të shpërfillësh aradhën e mësipërme të përfaqësimit shoqëror për të kërkuar ndihmë nga turma pa fytyrë në internet është një tallje me demokracinë, me shoqërinë e me vetë institucionin e politikës. Është një populizëm i shëmtuar që duhet t’i shqetësojë që të gjithë, përfshi edhe socialistët vetë. Është një lojë që nëse thellohet herët a vonë mund t’i bëjë të gjithë të skartueshëm. Jo vetëm figurat po edhe institucionet.
Rama nuk është as i pari dhe as i fundit që vepron në këtë mënyrë. Politika në Shqipëri është nga natyra populiste dhe këto akte vijnë natyrshëm. Kryeministri Berisha gjithashtu kishte një linjë telefonike të denoncimeve nga populli. Ato madje bëheshin në mënyrë private.
Fundja dikush me të drejtë mund të thotë se në një vend ku ka mosbesim ndaj gjyqësorit këto lloj taktikash janë të pashmangshme. Në mungesë të frikës nga drejtësia, le të kenë zyrtarët pak frikë nga rastësia e denoncimit privat te kryeministri.
Po ashtu është e pashmangshme një periudhë fluturimi nga Rama pas vetëbesimit të marrë nga vota e jashtëzakonshme që ia dha pushtetin tërësisht në dorë.
Mirëpo, pikërisht sepse ai po bëhet tani një njeri kaq i fuqishëm në një vend si Shqipëria, ku parlamenti nuk shërben si drejtpeshues i pushtetit dhe ku gjykatat janë përpara një reforme të thellë, ku politika do të luajë rol, kryeministri Rama duhet të kuptojë se veprimet e tij do të lexohen me kujdes e do të shihen me lupë zmadhuese.
Ai mund të argumentojë sa të dojë se po niset nga synime të virtytshme në një vend me sistem të kalbur, po të gjitha diktaturat në histori janë ngritur në emër të virtytit, e pothuajse të gjithë diktatorët kanë besuar se po ta kenë të gjithë pushtetin në duart e tyre do ta përdorin me drejtësi.
Rama është tani një kryepolitikan shumë i fuqishëm në një demokraci shumë të brishtë. Shansin e madh që iu dha apo që e rrëmbeu duhet ta përdorë për të forcuar e pavarësuar institucionet që ta mbrojnë demokracinë nga vetja e tij dhe nga pasardhësit në pushtet. Mund t’i duket pa kuptim kjo fjali Edi Ramës, po pas fitores aq të madhe në zgjedhjet e fundit, armikun më të madh tani ka vetveten e si ai edhe demokracia shqiptare. Është në natyrën e sistemit.