Rreziku nga minat në Kosovë është ende real

Një ditë pranvere e pasluftës është shndërruar në ditën më tragjike për Elmi Xhemën nga qyteti i Shtimes në Kosovë.

Si 12-vjeçar, në maj të vitit 2001, Elmiu ka dalë për të luajtur në oborr të shtëpisë, ku edhe ka shkelur në minë.

Për pasojë, ka humbur këmbën dhe dorën e majtë.

“Nuk kam ditur asgjë deri kur më kanë dërguar në spital… Pastaj, e kam marrë vesh se çfarë ka ndodhur me mua”, rrëfen Elmiu për Radion Evropa e Lirë.

Mina në oborrin e shtëpisë së Elmiut ka qenë një ndër mjetet e shumta shpërthyese që janë vendosur nga ushtria serbe nëpër Kosovë, gjatë luftës së fundit, më 1998/99.

Elmiu, sot 32 vjeç, ka arritur të sigurojë proteza të gjymtyrëve, me të cilat funksionon, por nuk ka arritur të vazhdojë shkollimin.

“Pasi më ka ndodhur kjo, nuk kam pasur vullnet (për shkollë), më ka humbur motivi dhe e kam lënë”, tregon ai.

Mjetet shpërthyese, të mbetura nën tokë nga koha e luftës, kanë marrë jetën e 117 personave në Kosovë.

Të plagosur ngjashëm si Elmiu kanë mbetur 468 persona.

Sipas të dhënave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, shumica e civilëve kanë pësuar nga minat shumë shpejt pas luftës.

FSK: Po vazhdon kontrolli për zonat e dyshuara me mina

Njësitet ushtarake që kanë funksionuar në Kosovë në 20 vjetët e fundit, kanë qenë përgjegjëse për largimin e mjeteve shpërthyese.

Të gjitha operacionet janë kryer në bashkëpunim edhe me ekipet e deminimit nga misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, dhe organizatat civile për deminim.

Njësiti ushtarak, që quhet Kompania e Deminimit, ka funksionuar që nga viti 2001, fillimisht në kuadër të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), që kanë dalë nga transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga viti 2009, përkatësisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, TMK-ja është shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Togeri Petrit Loxha, nga Kompania e Deminimit, thotë për Radion Evropa e Lirë se menjëherë pas luftës, ushtria e atëhershme jugosllave ka dorëzuar hartat e zonave të minuara.

Këto harta kanë treguar për 620 fusha të minuara, 1,300 caqe të bombarduara nga NATO-ja, si dhe 2,500 raportime të mjeteve të rrezikshme.

Pra, në total, kanë ekzistuar afro 4,500 zona të rrezikshme në pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Në 20 vjet punë, deri më sot, kanë mbetur më pak se 70 pika të rrezikshme me interes”, thotë Loxha.

Sipas të dhënave të FSK-së, deri më tani janë pastruar mbi 59 milionë metra katrorë tokë, si dhe janë larguar mbi 23 mijë mina, 21 mijë kasetë-bomba dhe mbi 48 mijë mjete të tjera shpërthyese.

Ndonëse, sipas FSK-së, është bërë punë e madhe për largimin e të gjitha mjeteve shpërthyese në territorin e Kosovës, ka ende pika që mund të jenë me rrezik.

“Zonat më të prekura me mina kanë qenë pikat kufitare me Shqipërinë dhe Maqedoninë [e Veriut], shkaku i armiqësive të kohës së komunizmit dhe luftërave të viteve ’99-2001. Këto mbeten zonat më të prekura edhe sot”, thotë Loxha.

Aksionet e deminimit deri më tani janë përqendruar në zonat e banuara, por, sipas FSK-së, ato do të fokusohen tani në zonat kufitare.

Gjatë këtij viti, FSK-ja ka kryer disa operacione të pastrimit të fushave të kontaminuara me mjete të pashpërthyera në rajonet e Hanit të Elezit, Gjakovës dhe Ferizajt.

Sipas FSK-së, deri më tash në vitin 2021, janë gjetur 400 mjete shpërthyese dhe 951 fishekë.

“Nevojitet fushatë vetëdijesuese për rrezikun nga minat”

Mjetet e pashpërthyera pritet të jenë rrezik potencial edhe për një kohë të gjatë, thotë Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë.

Sipas tij, largimi i të gjitha mjeteve të tilla në Kosovë merr më shumë kohë.

“Sot e kësaj dite kemi mjete të pashpërthyera edhe nga Lufta e Dytë Botërore, e lëre më në këtë kohë, kur forcat serbe kanë minuar sipërfaqe të mëdha…”, thotë Islami për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se qytetarët duhet të informohen vazhdimisht për rrezikun potencial, qoftë përmes televizionit, apo mediave online.

“E rëndësishme është që opinioni publik të informohet mbi rrezikun që shkakton një mjet i pashpërthyer. Të bëhet vetëdijesimi i qytetarëve që në rast se hasin në mjet të pashpërthyer, t’i lajmërojnë organet kompetente”, thotë Islami.

Thirrjet e popullatës civile tek autoritetet thuhet se kanë çuar në gjetjen e mjeteve shpërthyese jo vetëm nga lufta e fundit, por edhe nga konfliktet e shekullit 20.

(Doruntina Baliu, REL)

Comment

*