Rriten mundësitë për të zgjedhur një shqiptar në Kongresin Amerikan

Tërhiqen kandidatët e tjerë, pritet koalicion me Vedat Gashin kundër kongresistit Jamaal Bowman

Nga Ruben Avxhiu

Manuel Casanova një nga dy kandidatët që po sfidojnë kongresistin Jamaal Bowman, në garën paraprake Partisë Demokrate për zonën zgjedhore 16 në New York është tërhequr nga gara.

Ky është lajm i mirë për shqiptaro-amerikanin Vedat Gashi sepse ai mbetet kandidati i vetëm në garë përballë Bowmanit dhe nuk do të ketë rrezik që t’i ndajë votat me dikë tjetër.

Akoma më mirë, në deklaratën e tij të tërheqjes, Casanova tha se “Po dal nga gara dhe do të mbështes Vedatin”.

“Mendoj se ai do të jetë në gjendje të bashkojë koalicionin që nevojitet për të fituar këtë paraprake”, tha  Casanova. Ai duhet ta dijë mirë këtë punë se përveçse biznesmen është edhe startegjist politi.

Edhe Michael Gerald, një prift në qendrën e korrektimit në Tuckahoe, të Kontesë Westchester e pezulloi garën javën e kaluar. Ndonëse ende nuk e ka mbështetur Gashin, ai tha se po anonte nga ai.

Bowman, i cili ka lënë shumë të pakënaqur në zonën e tij gjatë mandatit të parë e ka edhe më të vështirë rizgjedhjen përshkak se kufijtë e zonës kanë ndryshuar duke përfshirë një zonë shumë më të larmishme e me pikëpamje të ndryshme politike.

Bowman papritur mund të jetë tepër i majtë për votuesit që do të përfaqsojë.

Dy vjet më parë, ai fitoi kundër kongresistit Eliot Engel, i ndihmuar edhe nga situata me epideminë, emocionet lidhur me protestën e organizatës Jetët e Zeza Kanë Rëndësi si dhe për shkak të një numri sulmesh në media ndaj Engelit.

Në atë kohë, Engel gëzonte mbështetjen e udhëheqësve kryesorë demokratë e megjithatë humbi.

Kësaj here situata është përmbysur. Tani udhëheqësit demokratë si Nancy Pelosi, Charles Schumer etj mbështesin Bowmanin por janë demokratët në bazë që mund të kenë ndryshuar mendim.

Gashi, djali i emigrantëve nga Kosova, që ka shërbyer me sukses si ligjvënës në Westchester, ka moshën dhe qendrimet e duhura për të përfaqësuar zonën e re të 16 në Kongresin Amerikan.

Historikisht ka qenë e vështirë të rrëzosh një kongresist në fuqi. Eliot Engel e përfaqësoi këtë zonë për 32 vjet me radhë. Por, Bowman nuk është Engel dhe ende nuk e ka krijuar imazhin dhe mbështetjen që krijoi Eliot Engel në vite.

Dy ditë më parë, një takim fondmbledhës për Gashin tërhoqi shumë shqiptaro-amerikanë. Për shqiptarët do të ishte shumë e rëndësishme që të kishin më në fund një shqiptar të ri në Kongresin Amerikan. Edhe zona 16 e New York-ut meriton një kongresist më të mirë.

One Response to “Rriten mundësitë për të zgjedhur një shqiptar në Kongresin Amerikan”

Read below or add a comment...

  1. Sami Repishti Ph .D. says:

    Z. Vehat Gashi uroj sukses te plote ne ndermarrjen e tij guximtare me perfaqsue nji seksion te popullsise amerikane ne Kongres. Nji fitore e ketill do te ringjalle edhe interesin e mijera shqiptareve te zones me deshmue ardhjen e shqiptareve te Amerikes ne organin ma te nalte te shtetit amerikan. Urime per sukses dhe shquemje te meritueme ne punen e tij si kongresisti i pare me kombesi shqiptare.
    Hap i madh perpara.Nji mungese e madhe e se kaluemes. Uroj te mbyllet me kete fitore.