Rritet eksporti nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Prishtinë, 13 qershor 2021 – Eksporti nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shënuar rritje mbi 50 për qind,vitin e fundit. Vetëm deri në muajin qershor të këtij viti, kompanitë prodhuese në Kosovë kanë eksportuar mallra mevlerë rreth 40 milionë euro në Shteter e Bashkuara.

Kompania “Fruteks” nga Suhareka është ndër kompanitë që ka filluar t’i eksportojë prodhimet e saj edhe në Shtetet e Bashkuara.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, eksportin e kemi filluar në fillim të vitit 2020, pavarësisht pandemisë dhe kjo mendoj që na ka penalizuar se nuk kemi pasur ndonjë shtrirje shumë të gjerë. Por, aktualisht i kemi dy partnerë, njërin e kemi në Neylw York dhe tjetrin në California ndërsa brenda këtij muaji do të fillojmë po ashtu bashkëpunimin edhe me një partner tjetër në Pensilvania e kështu besoj se do të rritet shtrirja e produkteve në SHBA”, thotë pronari i “Ftiteks”, Shaqir Palushi, për Zërin e Amerikës.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, tregon se gjatë këtij viti  nga Kosova në SHBA janë eksportuar produkte mevlerë 40 milion euro, ndërsa vitin e  kaluar ishin eksportuar 23milion euro.

“Deri tash ne kemi eksportuar gjatë këtij viti rreth 40 milionë euro produkte të ndryshme, ndërsa në vitin 2020 ka pasur rritje mbi 50 për qind. Në vitin 2020 janë eksportuar në Amerikë diku 23 milionë euro”, thotë Stavileci.

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë shpjegon se rritjen e eksportit nga Kosova në Amerikë e ka lehtësuar në masë të madhe ajo që njihet si “aranzhman i njëanshëm preferencial tregtar”.

“Një aranzhim tregtar u mundëson shteteve në zhvillim, siç është Kosova, të eksportojnë rreth 3.500 produkte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa iu nënshtruar detyrimeve doganore. Në rastin tonë jemi me fat që nuk eksportojmë produkte të cilat do të përbënin konkurrencë të drejtpërdrejtë për produktet amerikane, kështu që gati të gjitha produktet që prodhohen në Kosovë bëjnë pjesë në ato të cilat lirohen nga detyrimet doganore”, shpjegon Zeka.

Zoti Palushi thotë se kjo masë e vendosur nga Shtetet e Bashkuara e ka bërë shumë të lehtë qasjen në tregun amerikan.

“Në një mënyrë apo një tjetër do të thotë nuk kanë kosto më tepër, pothuajse aq sa kur shpërndahen në vendet e Ballkanit. Kjo, sigurisht, na jep një mundësi të mirë që ta rrisim prezencën tonë në këtë vend”, thotë ai.

Zoti Zeka thotë se prodhuesit në Kosovë duhet të shfrytëzojnë lehtësi të tilla edhe për të ndihmuar në rimëkëmbjen ekonomike të vendit nga pasojat e COVID-19ës.

“Është mirë që në tërë këtë fatkeqësi që e ka goditur globin e, rrjedhimisht, edhe Kosovën, këta 14-15 muaj prej shpërthimit të pandemisë, Kosova ka arritur që të shfrytëzojë çrregullimet që janë krijuar në zinxhirët global të furnizimit, kryesisht në ato që dikur janë njohur si fabrika globale në Kinë apo në shtete të tjera aziatike. Uroj që ne të vazhdojmë ta shfrytëzojmë këtë situatë të re që është krijuar pas shpërthimit të pandemisë COVID-19”, thotë ai.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, sektorët si industria e drurit e mobilieria, industria e tekstili dhe pijet alkoolike dhe joalkoolike prijnë për nga sasia e eksporteve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

(r.m.)

Comment

*