RRUGA E BUKUR E “BIJVE TE SHQIPES”

30 tetori 2022 do të mbetet në kujtesën e komunitetit shqiptar në Filadelfia si një ditë  vecanërisht e bukur dhe e gëzuar: festuam 20-vjetorin e formimit të Shoqatës Atdhetare-Kulturore Shqiptare-Amerikane “Bijtë e Shqipes”, që e shtrinë veprimtarinë e saj jo vetëm në shtetin e Pensilvanisë por edhe në shtete të tjera si Nju Xhersi, Nju Jork Masaçusets, Konektikat etj., ku ka anëtar dhe përkrahës që e njohin, e respektojnë dhe ndihmojnë këtë shoqatë.

Festimet në fakt nisën që ditën e shtunë më 29 Tetor. Bile më parë se kjo datë. Atëhere kur  kur Vlashi nisi të përgatiste librin “Rrugëtimi ynë në 20 vite”, që  si një kalendar i përpiktë paraqiste të regjistruar të gjitha veprimtaritë e organizuara nga shoqta jonë në  dy dekada. Ky libër doli nga shtypi një muaj më parë.  Ndërkohë kryetari i shoqatës Bujar Gjoka cdo ditë pas pune, deri në orët e vona të natës ,apo të para të mëngjesit, merrej me seleksionimin e fotografive për ekspozitën që dp të hapej më 29 Tetor në godinën në ndërtesën e re , ende të papërfunduar, u hap ekspozita fotografike, që paraqiste nëpërmjet fotove rrugën 20 vjecare të saj  me veprimtaritë, punën e palodhur të njërzvë të përkushtuar për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës, traditave më të mira të popullit tonë, edhe këtu në Amerikën e largët. Midis qindra e qindra fotografive të arkivit përzgjodhi me kujdes fotot me të mira, duke i ndarë sipas tematikës dhe viteve. Nuk i shmangesh dot falenderimit edhe për Vlashi Filin që ndër vite tregohej këmbëngulës për marrjen dhe ruajtjen e fotografive. Ekspozita ishte konceptuar jo vetëm si një kronologji por në baze tematikash te ndryshme. Kaloje nga njëra tek tjetra stendë natyrshëm, bukur, deri tek dhoma e dytë ku krahas fotove tematike ishin vendosur edhe  fotografitë e 6 kryetarëve të shoqatës në këto 20 vite që nga George Zeo (2002-2004), Llazar Vero (2004-2008), Petrit Zanaj (2008 – 2010), Sadik Elshani ( 2010- 2014),Tajar Domi (2014 – (2018) Bujar Gjoka, kryetari aktual, dhe sekretari i shoqatës gjatë gjithë kësaj periudhe 20 vjecare, Vlashi Fili.

          Duke përmëndur me respekt të gjithë këto emra, mu kujtuan fjalët e një miku të cmuar të shoqatës z. Mëhill Velaj, që kishte ardhur i ftuar nderi për 20 vjetorin e organizatës sonë : “Kam qënë pjesëmaarrës në shumë festime shoqatash shqiptare në Amerikë, por në asnjë rast nuk kam parë që të gjithë kryetarët të vazhdojnë të bashkëpunojnë, të jenë shokë edhe miq  sic jeni ju edhe pasi e keni kryer detyrën. Kjo flet shumë. Ju lumtë!”

          Vizitor të ndryshëm, anëtar dhe jo anëtar të shoqatës, miq dhe dashamirës të saj, vizituan këtë ekspozitë me mjaftë interes dhe largoheshin me mbresa të bukura dhe respekt për punën e bërë në këto dy dhjetëvjecarë nga bashkatdhetarët e tyre. Ishte si një dokumentar pa zë por që fliste me fakte. Nuk thonë më kot se nje fotografi eshte baras me një mije fjalë. është fakti që flet. Në ato foto ështe puna e qindra bashkatdhetarve, anëtarve të shoqatës, kryesisë së saj, kryetarve dhe sekretarit të palodhur që sakrifikonin nga koha e tyre, e familjes… dhe jo vetëm kohën por edhe energji nga puna fizike dhe streset. Më kujtohet se nuk ishte e lehtë për asnje që pas 8 apo 10 orë pune të shkoje  të punoje për përshtatjen e ndërtesës, për organizimin e veprimtarive ku ishin edhe autor e lektor, kafexhinje dhe kamarierë. Në fillim nuk njiheshim shumë me njëri -tjetrin ose pak dhe aspak. Për tu afruar më shumë pas cdo veprimtarie  organizonim tavolinat me ushqime tradicionale. Të gjitha zonjat  e kryesisë dhe bashkëshortet tona sillnin gatime të përgatitura në shtëpi. Kjo traditë  dha frytet e veta për vite të tëra. U njohëm dhe u miqësuam me njëri-tjetrin më shumë. “Bukë, kripë dhe zemër” thotë populli ynë. Kjo u kthye në një traditë që ruhet akoma. Yllka, Mimoza, Tatjana, Gjylia, Elvira, Linda, Begia, Shega, Ardiana, Elhamja, Zana, ……me dhjetra herë , fundjavash, krahas punëve të shtëpisë gatuanin edhe për shoqatën. Nuk ishte e lehte por e bënin dhe e bënin shkëlqyer. Ju faleminderit zonja të nderuara!

          Midis miqëve të ardhur nga Nju Xhersi, Nju Jorku, Konnektikat. takohemi me mikun e hershëm dhe të cmuar të shoqatës dhe tonin, prof, Dr, Skënder Kodra, PhD, Kryetar Nderi i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave Ai ishte ndër të parët që erdhi nga Nju Jorku ku jeton dhe punon prej vitesh, i përkushtuar në punën e tij shkencore dhe atdhetare, sic ka ardhur dhe mirëpritur edhe në shumë veprimtari të tjera të shoqatës tonë në vite. Përhërë bujar, dashamirës dhe vlerësues për punën tonë. Midis miqëve të ftuar dallojmë edhe poetin dhe veprimtarin e palodhur z.Mëhill Velaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Poetëve  Shqiptaro – Amerikanë, mik i hershëm i yni, përherë me gëzimin në shpirt dhe fjalën e mëncur  në buzë, Prof, Bexhet Hasani nga Nju Xhersi, mësues veteran, studiues dhe autor i vlerësuar, mik i afërt i shoqatës, që kurrë nuk ka kursyer fjalën e mirë për shoqatën tonë midis bashkatdhetarëve. Nga Tirana erdhën miqtë tanë të vyer të Grupit Atdhetar “Flaka”, që ka mbledhur rreth vetes biznesmenë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, pavarësisht bindjeve të tyre politike apo fetare, Kryetarin Bajram Berisha dhe mikun e cmuar të tij dhe tonin Mezan Resuli. Ata kanë qënë dhe janë edhe mbështetës të mirë të shoqatës tonë. U bën disa vite tanimë që na dërgojnë flamuj për të festuar ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, pa llogaritur mbështëtjen në të holla për ndërtesën e re dhe shkollën shqipe.Ata janë prej vitesh antarë aktiv dhe të nderuar të shoqatës tonë dhe e paguajnë rregullisht kuotën vjetore.  është kënaqësi dhe nder t’i kesh pranë dhe të bisedosh me ta, për përvojën jetësore që kanë dhe sinqeritetin vëllazëror.

 Ju paçim o vëllezër!

          E diela në drekë e 30 Tetorit2022 ishte planifikuar për festimin e kësaj  ngjarje të shënuar , 20 vjetorin e formimit të Shoqatës Atdhetare- Kulturore Shqiptare- Amerikane “Bijtë e Shqipes”. Salla ishte përgatitur e zbukuruar me simbolet kombëtare dhe amerikane. Bashkatdhetarë dhe miq, të veshur si për festë, filluan të zinin vend që herët. Mësueset e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” erdhë më herët së bashku me fëmijët që do të përshendesin mbasditen festive dhe që do te kendonin së bashku me mësueset këngë patriotike. Ishin veshur të gjithë shume bukur, por veshja më e bukur ishte gëzimi dhe emocionet ne fytyrat e tyre. Meusese Rudina, që ështe autore dhe regjizore e kësaj paraqitje të fëmijve dhe mësueseve ishte më e tensionuar. Si asnjehetë më parë i shohim mësueset kaq të përfshira emocioanlisht dhe konkretisht në këtë veprimtari. Rajmonda Bardhi dhe Irini Zeneli jane “veteranet” e shkollës tonë, por me to janë bërë si një trup edhe Rudina Banu, Mimoza Sotiri dhe Afërdita Muzhaqi.

          Kur vjenë fjala tek shkolla jonë, përherë themi se vërtetë shoqta e hapi shkollën dhe kujdeset vazhdimisht për mbarëvajtjen e saj, por edhe shkolla i dha emër të mirë shoqatës dhe komunitetit shqiptar në Filadelfia. Janë të shumtë nxënësit që kanë kryer të pesë vitet e shkollës shqipe pranë shoqatës. Tanimë, ata kanë mbaruar studimet vazhdojnë studimet e larta apo i kanë përfunduar ato, janë punësuar në kompani ku kërkohen njërëz të kualifikuar dhe me ambicje për të ecur më tutje. Janë të gjithë krënaria jonë. Ndoshta disa prej tyre do të kthehen nje ditë si drejtues të shoqatës. E përse jo?!

          Pas përshëndetjes së fëmijëve e merr fjalën kryetari i shoqatës, zoti Bujar Gjoka. Midis të tjerash, mbasi përshëndeti dhe uroj mirseardhjen pjesëmarrësve dhe në menyrë të veçantë miqve të ftuar, të ardhur nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Filadelfia, Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Shqipëria, ai theksoi se:Sot është një ditë e shënuar për ne të gjithë pasi jemi mbledhur për të festuar 20 vjetorin e themelimit të Shoqatës sonë “Bijtë e Shqipes”. 20 vite, nuk janё shumё, as nё jetёn e njё njeriu, e aq më tepër në jetën e një shoqate. Nuk janё numri i viteve ata qё tregojnё vlerё, cilёsi, por pёrherё vlera qёndron nё atё se si i ke jetuar ato vite. Pёr kёtё Shoqata “Bijtё e Shqipes” mund tё ndihet shumë krenare pёrpara bashkatdhetarёve tё vet, jo vetёm nё Filadelfia, jo vetёm nё ShBA, por edhe mё gjёrё. Antarёt dhe simpatizantёt e shoqatës sonë i gjejmё nё Shqipёri, Kosovё, Kanada, Gjermani, Itali, Angli, Greqi Hollandë, etj. Njё jetё e mbushur me veprimtari tё shumёllojshme, kulturore, historike, sociale, letrare, bamirese, sportive etj.   

         Një arritje shumë e madhe dhe një progres i ndjeshëm është bërë në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”, e cila këtë vit mbushi plot 18 vjet. Pandemia Covid 2019 na frenoi disi në fillim, por nuk na paralizoi. Shkolla Shqipe “Gjuha Jone” nuk e ndali veprimtarinё e saj as nё pikun e pandemisё. Nga mёsimi nё klasa, mёsimi vazhdoi online. Kjo vёshtirёsi na hapi edhe njё dritare tjetёr nё punёn me shkollёn: tёrheqjen e fёmijёve shqiptarё edhe nga shtetet e tjera tё ShBA. Dy vitet e fundit shkolla shqipe është zgjeruar dhe në shtete të tjera të Amerikës si Kalifornia, Illinois, Masachuset, Texas, Virxhinia, Maryland, Delaware, Nju Jork, Nju Xhersi etj. Sot ne kemi 9 klasa mësimore (5 -nivele mësimore bëjnë mësimin në klasë dhe 4-nivele bëjnë mësimin online)”.
         Në përfundim z. Bujar Gjoka e mbylli ligjëratën e tij duke theksuar:

         “Dua te shpreh mirënjohje e respekt për veprimtarët e shumtë, përkrahës e mbështetës të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, për të gjithë ata miq e dashamirës që na kanë inkurajuar në punën tonë me mesazhet e tyre vlerësuese, për të gjithë bisnesmenët por edhe të tjerët që kanë kontribuar financiarisht për realizimin e objektivave si dhe për të gjithë komunitetin shqiptar të mrekullueshëm në Philadelphia që po bëhet një factor i vlerësuar edhe nga komunitetet e tjera dhe nga shteti i ketij vëndi të madh demokratik”.

          U erdhi radha vlerësimeve të bashkatdhetarëve veprimtarë të palodhur të shoqatës që në ditët dhe vitet e para të jetës së saj, apo edhe anëtarë veprimtar të Komunitetit.
          Me titullin “Nderi I Komunitetit” u vlerësuan z. Barjam Berisha, z. Mezan Resuli, znj. Tatjana Vero, z. Gentian Toshkëzi (mjek) dhe znj. Sonila Skënderi (mjeke).
          Me titullin “Anëtar i Dalluar” u vlerësua z. Jakup Domi.

          Me titullin “Njeriu i Vitit” u vlerësua z. Hysë Hasa

          Me Certifikatë “Mirënjohje” u vlerësua z. Lulzim Kazazi

          Në këtë festë kemi më shumë të ftuar se cdo herë tjetër. Shoqata është bërë më e njohur dhe e respektuar, falë veprimtarisë së saj të vyer dhe të pandërprerë. Ja ku është zoti Beniamin Risilia, bashkatdhetari që realizoi amanetin e të vëllait për blerjen e ndërtesës qe kemi sot dhe u bë strehë e shkollës shqipe. sic donte i ndjeri vëllai i tij Hasan Risilia. Beni, sic i thërrasim shkurt, ne të moshuarit dhe miqtë e tij të vjetër, tani eshtë “paksa” i moshuar , 92 vjec. E ka vështirë të lëviz, por mëndjen dhe zemrën e ka sic e ka pasur 20 vite të shkuara kur u njohëm, kur pasi dha cekun për ndërtesën që blemë, erdhi edhe për të punuar për rimodelimin e saj, së bashku me të ndjerin, shokun dhe mikun e tij Behar Alimadhi. Takohemi, përqafohemi,ndërsa ai na njeh me vajzën dhe mbesën e tij që  kanë ardhur bashkë me të.  Ai i gëzohet cdo arritje të shoqatës, cdo gëzimi dhe feste të organizuar nga ajo.

          Nuk janë shumë dy dhjetëvjecarë në jetën e një shoqate, por mjaftojnë për të thënë dicka serioze për rrugën e bërë, për punët e kryera. Po të flasim me numra, sipas librit të Vlashi Filit, botuar muajin e fundit, Shoqata Atdhetare- Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia ka organizuar 420 veprimtari të ndryshme kulturore, atdhetare, humanitare, sociale, sportive etj. Por si kryeveprimtari e cdo viti mbetet ngritja e flamurit tonë kombëtar në qëndër të Filadelfias, në kuadër të të gjithë veprimtarive kushtuar ditës së pavarësisë së Shqipërisë. Dhe aty jemi të gjithë së bashku, bashkatdhetarë nga Shqipëria, Kosova, Camëria, etj. Para pandemisë filluam të zbatojmë dicka mjaft interesante : vizitat në familjet e bashkatdhetrëve në kuadër të festave të Nëntorit, Ditës së Flamurit, dhe të Clirimit nga pushtuesit nazist. Me këtë rast në cdo familje jepnim si dhuratë një flamur Kombëtar. Komunikim me bashkatdhetarët dhe kjo dhuratë e cmuar linte gjurmë të bukura në kujtesën e tyre.

          420! Kaq shume veprimtari nuk i kryen as një qendër kulturore shtetrore , pra e paguar nga shteti. Por “Bijtë e Shqipes” i kanë bërë vullnetarisht. 100% vullnetarisht. Bile duke dhënë më tepër se kuota vjetore, në mbështetje të veprimtarive dhe nevojave të saj.   Këto veprimtari, janë të dokumentuara me përpikmëri nga sekretari i shkëlqyer i kësaj shoqate, zoti Vlashi Fili. Kush nuk beson është i mirëpritur për t’ia vërtetuar. Në veprimtari janë llogaritur  edhe të dielat e cdo muaji kur hap dyert Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë” për fëmijët. Qe vitin e kaluar edhe për ditët e shtuna për mësimin “on line” të gjuhës shqipe. Por të shtunave dhe të dielave  janë zhvilluar edhe veprimtaritë kulturore, historike, letrare, në përkujtim të ngjarjeve dhe figurave të shquara të kombit tonë etj. Ka edhe veprimtari sportive, sic ishte këtë vit pjesëmarrja e ekipit të futbollit të komunitetit tone në turneun e futbollit “World Cup Still Touruament”, që quhet ndryshe edhe “Unite Cup, ku u kualifikuam për në gjysëmfinale dhe merituam vendin e katërt midis 48 ekipeve përfaqësuese të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Filadelfia.

          Duke lexuar e rilexuar këto rreshta, me të drejtë dikush mund të mendoj se të gjithë veprimtaritë e shoqatëszhvillohen vetëm në fundjavë, që edhe këto kërkojnë mjaft punë gjatë gjithë ditëve të javës,, në orët e vona  mbas pune dhe detyrimeve familjare. Por nuk kanë qënë të pakta dhe “shkëputjet” nga puna në raste ndarjesh nga jeta të bashkatdhetarëve, anëtar ose jo të shoqatës tonë. Përfaqësues të shoqatës nuk kanë munguar të nderojnë të ndjerin dhe familjen duke vendosur një kurorë me lule në emër të të gjithë bashkatdhetarëve të Shoqatës. Nuk kanë munguar edhe vizitat në spitale në raste sëmundjesh të bashkatdhetarëve. Ndoshta këtu i ka rrënjët emri tjetër i qëndrës kulturore të shoqatës si “Shtëpia e shqiptarit”. Nuk e dimë se kush e përdori i pari, por ngjiti dhe mbeti. Ka qënë kumbar i mirë. Por edhe shumë punë të shoqatës kanë atë ngjyrimin , frymën, shpirtin e shtëpise, ku gëzojmë punojmë dhe qajmë hallet.   Tanimë tek “shtëpia” bashkatdhetarët drejtohen për ndihmë kur kërkojnë punë, kur kërkojnë shtëpi apo japin shtëpi me qera, bizneset shqiptare kur kërkojnë punëtorë, etj. lajmërime që i vëndosim në faqen elektronike të shoqatës. Mundohemi të jemi sa më afër njëri – tjetrit në gëzime dhe në nevojë. dhe me modesti themi se kemi bërë dicka. Në të ardhmen do të bëjmë më shumë.

          Ta gëzosh këtë moshë të bukur shoqata jonë e dashur! Jetofsh edhe shumë e shumë vite por mbetsh përherë 20 vjecare, për nga puna e bërë, dëshira dhe eëndërrat u bëfshin përherë realitet! Lartë dhe më lartë traditat e bukura, kulturën e çmuar, historinë dhe flamurin tonë kuqezi!

LAVER NIKU

          Filadelfia, 4 Nëntor 2022