Rubla ruse zhvlerësohet në nivel rekord

Moskë, 28 shkurt 2022 – Monedha kombëtare ruse, Rubla, ra në nivel rekord, pasi G7 që përbëhet nga vendet më të industrializuara, vendosi sanksione të ashpra financiare kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Të hënën, rubla ra në 114 kundrejt dollarit amerikan, krahasuar me 83.7 në fund të javës së kaluar.

Rubla e ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj që nga fundi i tetorit, kur Rusia ka nisur të grumbullojë trupa në kufi me Ukrainën.

Në fundjavë, G7 ka bërë të ditur se do ta sanksionojë Bankën Qendrore të Rusisë dhe do t’i përjashtojë disa nga institucionet më të mëdha financiare ruse nga sistemi global bankar, i njohur si SWIFT.

Sanksionet e pengojnë aftësinë e Bankës Qendrore për të mbrojtur rublën duke i shitur rezervat e saj në monedhat e G7-ës.

Njoftimi për sanksione ka ngjallur frikë te rusët, të cilët janë parë në radhë të gjata në fundjavë, duke pritur për të tërhequr para dhe për t’i shkëmbyer rublat.

Rezervat e Rusisë kanë arritur në më shumë se 600 miliardë dollarë në shkurt.

Banka Qendrore thuhet se ka shpenzuar rreth 5 miliardë dollarë të rezervave të saj për të mbrojtur monedhën më 24 shkurt, në ditën kur Rusia ka pushtuar Ukrainën.

Perëndimi e ka dënuar ashpër agresionin e Rusisë në Ukrainë, duke i cilësuar si shkelje të të drejtës ndërkombëtare.

(REL)