Rumania shqyrton mundësinë e njohjes së Kosovës

Kryeministri Viktor Ponta preferon njohjen eshpejtë të Kosovës

 

Bukuresht, 3 qershor 2013 – Kryeministri i Rumanisë, Viktor Ponta, ka thënë se është në favor të njohjes më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës.

Mediat serbe bëjnë të ditur se kryeministri rumun e ka shprehur këtë qëndrim në një takim që aid he ministri i tij i Jashtëm kanë pasur të hënën me dy komisionet kryesore parlamentare, ku është diskutuar lidhur me mundësinë e ndryshimit të qëndrimit të Rumanisë ndaj Kosovës dhe lëvizjes drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Ponta ka thënë se personalisht konsideron se Rumania duhet të përshtatë  qëndrimin e saj ndaj statusit të Kosovës me partnerët evropianë, duke marrë parasysh se 22 anëtare të BE-së tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se do të formohet një grup pune, i përbërë nga përfaqësues të diplomacisë rumune dhe deputetë, për të shqyrtuar zhvillimet e reja lidhur me statusin e Kosovës.

“Jemi pajtuar të formojmë një grup të punës, i cili do të merret me këtë çështje. Jemi pajtuar që kjo temë nuk është tabu, por duhet të merremi edhe me të”, citohet të ketë thënë Ponta.

Duke iu përgjigjur pyetjes se a pret që Serbia ta njohë Kosovën para Rumanisë, Ponta ka thënë se “do të ishte pak qesharake po qe se Rumania do të mbetej prapa Serbisë”.

Rumania është ndër pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur as Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja.

Comment

*