Rumsfeld: Shqipëria është vlerë në NATO

Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld qëndroi në Tiranë me ftesë të Fatmir Mediut, kryetarit të Partisë Republikane

 

Denion Ndrenika

Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld garantoi vazhdimin e mbështetjes amerikane për shqiptarët dhe Shqipërinë. Zoti Rumsfeld theksoli gjithashtu se është optimist për Ballkanin.
Ish-drejtuesi i Pentagonit mori pjesë në bashkëbisedimin publik për NATO-n në Tiranë ku mbërriti mbrëmjen e së dielës me ftesë të ministrit të Mjedisit, ish-ministër i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane.
Presidenti Bujar Nishani e dekoroi zotin Rumsfeld me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi, për kontributin e jashtëzakonshëm, si dhe për mbështetjen e fuqishme që Ai dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për reformimin, fuqizimin dhe modernizimin e Ushtrisë Shqiptare dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve që nga çastet e para të krijimit të shtetit shqiptar deri në vijimin përpjekjeve të shqiptarëve për ndryshimet demokratike për konsolidimin e demokracisë, përpjekjeve të saj për reforma, anëtarësimit në NATO, çlirimit dhe Pavarësisë së Kosovës dhe në vijim të rrugë e konsolidimit të saj e të Shqipërisë”-tha presidenti.
Mandej, në bashkëbisedimin e programuar, zoti Rumsfeld theksoi se shqiptarët dinë të përcjellin ndjershmëri dhe energji pozitive për vendin: “Problemet, të cilat hasim, nuk mund të zgjidhen nga një vend i vetëm. Ne e vlerësojmë shumë partneritetin me Shqipërinë. Jam në mbështetje të Shqipërisë dhe i besoj fort shqiptarëve, e di që çfarë i sjellin shqiptarët NATO-s, energji pozitive, qasjen e re të lidershipit ushtarak e civil. Shqipëria po luan një rol shumë të rëndësishëm në aleancë. Personalisht jam optimist për Ballkanin dhe mendoj që e ardhmja e Ballkanit do të jetë e ndritur”. Ish-Sekretari Rumsfeld i ndau disa fjalë për ushtarakët dhe partneritetin me amerikanët: Faleminderit shumë dhe ju anëtarë të Forcave të Armatosura për gjithçka keni bërë. Është gjithmonë privilegj i posaçëm të jesh me njerëz me uniformë, të kesh mundësi të shprehësh mendime dhe dua të shpreh vlerësimin tim jo vetëm për kontributet tuaja në Afganistan dhe në Irak, por edhe për vendin tuaj”.
Zoti Rumsfeld kujtoi takimin me presidentin Bujar Nishani, me të cilin komentoi se shqiptarët e vlerësojnë përfshirjen në NATO dhe se çfarë besojnë ata se i sjell NATO popullit shqiptar.
“Unë do ta përmbys atë, se unë shoh se çfarë i sjellin shqiptarët NATO-s, energjinë, eksperiencën, freskinë, përqasjen e lidershipit tuaj ushtarak dhe civil. Ju po jepni një kontribut të rëndësishëm në Aleancën, e cilat është e vjetër, e krijuar nga mesi i viteve ‘40-‘50. Unë kam qenë ambasador në NATO në vitin ‘73-‘74. Ishte një NATO ndryshe në atë kohë. Një NATO me 15 vende anëtare. Ndërkohë që sot me 28 vende anëtare, NATO ka një energji tërësisht të re. Në atë kohë ne shqetësoheshim për konfliktet brenda vendeve, ndërkohë që sot thuajse të gjitha problemet me të cilat përballet NATO janë me vende jashtë zonës së NATO-s, janë probleme për të cilat duhet të punojmë së bashku, duhet t’i trajtojmë. Si për shembull problemet e terrorizmit, piraterisë, krimit kibernetik etj., që kanë shumë rëndësi. Mendoj që Aleanca është e rëndësishme dhe mendoj që përfshirja juaj në Aleancë është vlerë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Aleancën”.
Zoti Rumsfeld ishte Sekretar i Mbrojtjes në çastet e jashtëzakonshme të historisë së shqiptarëve, pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri Sali Berisha çmoi zotin Rumsfeld dhe të Shteteve të Bashkuara për shqiptarët dhe Shqipërinë: “Për ne shqiptarët flamuri është kulti më suprem. Ne atë kemi gjënë më të lartë dhe ky ishte një dekorim plotësisht i merituar i një miku që aq vendosmërisht na ndihmoi për t’u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si një Aleancë vlerash, si një Aleancë paqeje dhe sigurie, si një Aleancë që këto 20 vite historia e dha që të përdorte forcën e saj në mbrojtje të lirive dhe të drejtave njerëzore për herë të parë në Kosovë, për të çliruar shqiptarët”.
Për ish-Sekretarin e Mbrojtjes, Rumsfeld kjo është vizita e tretë në Shqipëri brenda dhjetë vjetëve. Vizitën e parë zyrtare në Tiranë, ish-Sekretarit të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld u zhvillua në 10 qershor 2003, ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa për herë të dytë në 26 shtator 2006. Zoti Rumsfeld mori pjesë gjithashtu në përurimin e një libri të tij të botuar në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “55”.

4 - LART - pres-nishani-donald-rumsfeld-11 - Copy

Comment

*