Rundi i dytë i bisedimeve Ukrainë – Rusi zhvillohet të enjten

Moskë / Kiev, 2 mars 2022 – Rusia dhe Ukraina do të zhvillojnë raundin e dytë të bisedimeve për një armëpushim të enjten, më 3 mars, njoftoi kryenegociatori i Moskës, Vladimir Medinsky, që është ndihmës i presidentit rus, Vladimir Putin.

Medinsky tha se, përveç për armëpushimin, palët do të diskutojnë edhe për hapjen e korridorit humanitar në Ukrainë.

Presidenca e Ukrainës ka konfirmuar se delegacioni i saj është nisur për në vendin ku do të zhvillohen bisedimet, pasi Medinsky tha se delegacioni rus tashmë ka arritur në vendin e takimit.

Bisedimet pritet të mbahen në rajonin Brest në perëndim të Bjellorusisë.

Delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës u takuan për herë të parë të hënën, por takimi përfundoi pa kurrfarë rezultati.

Delegacioni ukrainas bëri të ditur se ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina. Por, pala ruse ka shtruar kushtet e saj. Vetë presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Ukraina duhet të pranojë sovranitetin rus në Krime, do të demilitarizohet dhe do të ketë status ushtarakisht

Prandaj, udhëheqja e Ukrainës nuk pret asgjë nga takimi në Brest. Këtë e shprehu Olexiy Arestovych, këshilltar i Presidencës së Ukrainës.

“Mendoj se gjërat do të mbesin njësoj. Asgjë nuk do të ndryshojë. Ne do të mbajmë qëndrimin tonë”,  tha ai për Suspilne TV.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, qysh para takimit të parë të delegacioneve, ka thënë se nuk beson se Rusia mund të zbrapset nga planet e saj për pushtimin e Ukrainës.

Zelensku ka thënë se ai ka pranuar t’i përgjigjet thirrjes për bisedime, në mënyrë që të mos i mbetet peng se e ka refuzuar një mundësi për zvogëlimin e pasojave të agresionit të egër rus.

(Sipas REL dhe Euronews)