Rusia e quan provokim deklaratën e Ramës për bashkimin Shqipëri-Kosovë

Moskë, 11 tetor 2021 – Ministria e Jashtme e Federatës Ruse e ka vlerësuar si provokim serioz deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Kremlini e ka quajtur si promovim të planit për “Shqipërinë e Madhe” deklaratën e Ramës se aspiratë e tij mbetet bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, duke theksuar se ky plan “e minon stabilitetin në rajon”.

“Ne e konsiderojmë deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën plotësisht të papranueshme. Promovimi i planeve për krijimin e një ‘Shqipërie të Madhe’ është në kundërshtim të plotë me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe e minon stabilitetin në rajon. Është veçanërisht e çuditshme të dëgjosh një udhëheqës të një vendi ballkanik që deklaron shkeljen e një dokumenti që është themeli i zgjidhjes së Kosovës si një qëllim kryesor të karrierës së tij politike. Kjo lloj deklarate nuk përshtatet në kontekstin e përpjekjeve të përbashkëta të Beogradit dhe Tiranës për të krijuar një treg të përbashkët nën nismën rajonale të Ballkanit të Hapur të ndjekur në bashkëpunim me Shkupin”, thuhet në reagimin e Ministrisë sëJashtme ruse.

Kjo ministri ka kërkuar që, siç thuhet, “përgjegjësit perëndimorë të projektit të shtetësisë së Kosovës” të reagojnë lidhur me këtë deklaratrë.

“Shpresojmë të shohim një përgjigje adekuate nga përgjegjësit perëndimorë të projektit të ‘shtetësisë’ së Kosovës ndaj këtij provokimi të pacipë. Ne jemi jashtëzakonisht të befasuar që ata po i tolerojnë këto lloj thirrjesh përçarëse, ndërsa e sulmojnë Beogradin për konceptin e tij të justifikuar humanitar të ‘Botës Serbe’ që nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, përfundon reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

(r.m.)