Rusia i shpall të jashtëligjshme Facebook-un dhe Instagram-in

Moskë, 21 mars 2022 – Një gjykatë në Moskë ka vendosur që platformat e kompanisë Meta të emërohen si “organizata ekstremiste”, një lëvizje që i bën të jashtëligjshme platformat sociale të kësaj kompanie, Facebook dhe Instagram.

Gjykata tha se ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Prokurorët shtetërorë nisën këtë procedurë gjyqësore pasi më 10 mars mediat raportuan se platformat e Meta-s po u lejonin përdoruesve të Facebook-ut dhe Instagram-it në disa shtete që të bënin thirrje për dhunë ndaj rusëve dhe ushtarëve rusë, pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, më 24 shkurt.

Autoritetet ruse tashmë e kishin bllokuar qasjen në Facebook, pasi kjo platformë i kishte bllokuar disa postime të medieve shtetërore ruse.

Gjatë vitit të fundit, Moska ka ndërmarrë një sërë masash për të kufizuar qasjen në media të pavarura, përfshirë edhe në media sociale.

Sipas prokurorëve, emërtimi “organizatë ekstremiste” i bën të jashtëligjshme vetëm Facebook-un dhe Instagram-in, por jo edhe platformën e mesazheve WhatsApp, të kompanisë Meta.

(r.m.)

Comment

*