Rusia ndërpren furnizimet me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë

Moskë, 27 prill 2022 – Gjigandi rus i energjisë Gazprom ka njoftuar të mërkurën se ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë, për shkak të mungesës së pagesave në rubla.

“Gazpromi ka ndërprerë plotësisht dërgesat e gazit për Bulgargaz (Bullgari) dhe PGNiG (Poloni) për shkak të mungesës së pagesave në rubla”, tha Gazprom në një deklaratë.

Gazprom paralajmëroi gjithashtu se tranziti përmes Polonisë dhe Bullgarisë do të pezullohet, nëse gazi merret ilegalisht nga këto shtete.

“Pagesat për gazin që dërgohet nga 1 prilli duhet të bëhen në rubla duke përdorur të dhënat e reja për pagesë, për të cilat palët kontraktuese janë informuar në kohën e duhur”, tha Gazprom të mërkurën.

Bullgaria, e cila mbështetet pothuajse tërësisht në importet e gazit rus, tha se ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj kontraktuale me Gazpromin dhe se një skemë e re pagese është propozuar në kundërshtim me marrëveshjen.

Ministri i energjisë i Bullgarisë tha në një konferencë shtypi të mërkurën në mëngjes se ky shtet ka paguar për gazin në prill dhe se ndërprerja e gazit është shkelje e kontratës.

Edhe kompania shtetërore polake e energjisë PGNiG ka konfirmuar se furnizimi me gaz nga Gazpromi është ndërprerë.

Polonia dhe Bullgaria thanë më herët se Rusia do të ndalonte të mërkurën furnizimin me gaz për këto dy bendfe të NATO-s dhe BE-së.

Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Sijarto, ka deklaruar të mërkurën se Hungaria është duke marrë gazin rus normalisht, përmes Serbisë dhe Bullgarisë, pavarësisht ndërprerjes së furnizimit për Bullgarinë.

“Dua t’i siguroj të gjithë se mos dërgimi i gazit në Bullgari nuk do të thotë ndalim i dërgesave tranzit përmes Bullgarisë”, tha Peter Sijarto në faqen e tij në Facebook.

Presidenti rus Vladimir Putin u ka bërë thirrje vendeve “armike” të paguajnë me rublja gazin që e importojnë nga Rusia, por këtë kërkesë e përmbushën vetëm disa blerës.

“Qëllimi përfundimtar i udhëheqjes ruse nuk është vetëm të pushtojë territorin e Ukrainës, por të copëtojë të gjithë qendrën dhe lindjen e Evropës dhe t’’i japë goditje globale demokracisë”, tha të martën mbrëma presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Shefi i kabinetit të tij, Andriy Jermak, tha se Rusia po fillon të shantazhojë me gaz Europën.

“Rusia po përpiqet të thyejë unitetin e aleatëve tanë”, theksoi Jermak.

Ajo zhvilloi bisedimet fillestare për importimin e gazit natyror të lëngshëm përmes Turqisë dhe Greqisë fqinje.

(r.m.)