Rusia po shqyrton modelin e Ukrainës ushtarakisht neutrale

Moskë / Kiev, 17 mars 2022 – Rusia dhe Ukraina janë pajtuar të vazhdojnë negociatat për t’u dhënë fund luftimeve. Të dyja palët janë shprehur optimiste të matura se një marrëveshje mund të arrihet.

Në publik nuk kanë dalë ende detaje të bisedimeve të deritashme, por pala ruse ka lënë të kuptohet se dy delegacionet kanë biseduar edhe për pozicionin e Ukrainës ndaj NATO-s. Sipas Moskës, një ndër propozimet për arritjen e marrëveshjes është që Ukraina të jetë neutrale ushtarakisht, sipas modelit të Austrisë dhe të Suedisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, ka thënë se modeli i neutralitetit ushtarak të Ukrainës po konsiderohet si një zgjidhje e mundshme.

“Është një variant që po diskutohet aktualisht dhe që me të vërtetë mund të konsiderohet si kompromis”, citohet Peskov nga agjencia e lajmeve RIA.

Të njëjteën gjë e ka thënë edhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov. Ai ka thënë se delegacionet po diskutojnë edhe për formulime konkrete, duke e theksuar se, ndër të tjera, bëhet fjalë për deklararimin e neutralitetit ushtarak të Ukrainës. Kjo do të thotë se Ukraina nuk do të aspirojë anëtarësimin në NATO dhe, ndoshta, as anëtarësimin në BE.

Por, Dmytro Podoljak, këshilltar i Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, eka hedhur poshtë propozimin. Në shërbimin e mesazheve Telegram, ai tha se Moska e paraqet modelin e neutralitetit ushtarak të Ukrainës si propozim të Kievit me qëllim që të marrë iniciativën në negociata.

Podoljaku theksoi se Ukraina ka nevojë për “një bllok të fortë mbështetjeje, me garanci sigurie të përcaktuara qartë” në të ardhmen.

Revista prestigjioze Financial Times, duke  iu referuar burimeve të saj, shkruan se në tryezën e negociatave mes Ukrainës  dhe Rusisë është edhe neutraliteti ushtarak i Ukrainës.

(r.m.)