Sa e bashkuar është Gjermania sot, 31 vjet më pas bashkimit?

Më 3 tetor 1991 u nënshkrua zyrtarisht bashkimi i Gjermanisë, një vit pas rënies së Murit të Berlinit. Marrëveshja përcaktoi modalitetet e bashkimit dhe nivelimin gradualisht të standardeve mes lindjes dhe perëndimit.

 

Që prej 31 vjetësh Gjermania është bashkuar. Të paktën në dokumenta ky hap u kurorëzua shpejt në mënyrë ceremoniale pas rënies së Murit të Berlinit. Por. ajo që pasoi nuk i entuziazmoi të gjithë njësoj, kryesisht në lindje të Gjermanisë, ku ndërmarrjet u shkatërruan dhe shumë vetë humbën vendet e punës.

Ajo që shumë njerëz të gjeneratës që sot janë në pension e ngrenë si shqetësim është, se jo gjithçka është zhvilluar aq mirë sa pritej: p.sh. ende ka dallime në paga, në lindje pagat janë më të ulëta se në perëndim të vendit. Edhe pensionet në lindje ende nuk kanë arritur nivelin si në perëndim. Ka ende shumë punë në këtë drejtim.

Megjithatë shumë gjëra në shumë drejtime kanë ecur me sukses, veçanërisht për brezin e ri. Shembulli i një familjeje nga të dyja anët e Gjermanisë që kanë krijuar modelin e tyre të biznesit duke e realizuar projektin e jetës së tyre pavarësisht kundërshtive e provon më së miri këtë: Në lindje të Gjermanisë, rreth 100km në perëndim të Berlinit, gjendet ferma e parë në mbarë Europën e algave, sikurse na thotë familja. Në fermën e tyre në bregdet kultivohen mikroalgat, që konsiderohen si arma e së ardhmes në luftën kundër ngrohjes së Tokës. Këto alga deti mund ta thithin nga atmosfera dioksidin e karbonit e nga ana tjetër ato janë edhe një ushqim me vlerë.

Sipërmarrja e çiftit Jörg Ullmann dhe Kirstin Knufmann është specializuar për algat. Madje ata janë njohur me njeri-tjetrin pikërisht nga puna me algat. Kirstin Knufmann është themeluese e sipërmarrjes RawAndPure, që prodhon ushqime të shëndetshme cilësore bazuar edhe tek algat.

Ndërkohë Jörg Ullmann shpjegon se si ai e pati idenë që në territorin e firmës të instalonte edhe Start-Ups. E pikërisht në këtë moment erdhi Kirstin me idenë, që biznesin e saj që kishte ecur mirë ta vendoste në një hapësirë të re.

“Kësisoj përmes këtij kontakti lidhur me punën ne u njohëm dhe u lidhëm më shumë bashkë edhe përtej punës. Ishte si të thuash edhe dashuri me shikimin e pare”, thotë ai.

Ata të dy sot drejtojnë një sipërmarrje të suksesshme, gjë kjo jo e vetëkuptueshme në lindje. Sepse pas ribashkimit të Gjermanisë ekonomia në landet lindore të ish-RDGJ-së u rrënua. “Dallimet sot nuk janë aq të dukshme, megjithatë nëse u referohesh posteve drejtuese, vëren, se shumica janë të zënë nga gjermano-perëndimorët. Personalisht nuk mendoj, se kjo është keq, por besoj se tashmë me kalimin e kohës mund të rivendoset ekuilibri, sepse në fillimet e kthesës në lindje gjërat duheshin përpunuar njëherë”, thotë Kirstin Knufmann.

Ferma e algave është e suksesshme. Çifti i ri e ka njohur fillimisht lindjen, ndërsa tani janë të suksesshëm në perëndim. Jörg Ullmann mundi të studiojë atë që dëshironte dhe të bënte punën që donte pas rënies së Murit të Berlinit.

Edhe Kirstin Knufmann e konsideron bashkimin vërtetë si një fat të madh edhe për të perosnalisht. Ajo thotë, se nëse kjo nuk do të kishte ndodhur ajo nuk do të kishte jetën që ka sot me harmoninë në familje me bashkëshortin dhe fëmijët si dhe biznesin e suksesshëm. „Jam mirënjohëse dhe e gëzuar për shanset dhe mundësitë, që mu dhanë mua për përjetimin e të gjitha këtyre duke qenë në kohën e duhur në vendin e duhur. Bashkimi është për mua gëzim dhe mirënjohje”, thotë ajo.

Për brezin e ri Gjermania e Bashkuar është e vetëkuptueshme. Ndarjen e Gjermanisë brezi i ri do ta mësojë vetëm nga librat dhe rrëfimet në famlije.

(DW)