Sa ka Kosova kapacitete për të pranuar refugjatë?

Prishtinë, 17 gusht 2021 – Institucionet e Kosovës thanë se janë duke bërë përgatitjet e duhura logjistike e teknike, por edhe ato të sigurisë dhe sociale, për strehimin dhe mbrojtjen e qytetarëve nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të pranojnë një pjesë të afganëve që kanë punuar me forcat e huaja, të cilët ndihen të pasigurt në vendin e tyre që është marrë nën kontroll nga talibanët.

Ende nuk dihet se sa afganë do të qëndrojnë në Kosovë derisa të përfundojnë procedurat për pajisjen  e tyre me viza amerikane.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Kryeministri Albin Kurti tha të martën se detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara.

Ekipi nga Kosova, i përbërë ne krye me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe shefin e kabinetit të kryeministrit, Luan Dalipi, tha Kurti, janë në diskutime me partnerët dhe aleatët amerikanë lidhur me çështjen e strehimit të afganëve.

“Kosova ka SHBA-në aleaten kryesore dhe partneren strategjike të pazëvendësueshme. Çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani, përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë, e ka gjithashtu dimensionin e aleancës dhe partneriteti me SHBA-në. SHBA-ja na kanë mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e kontributit tonë përkundër ndihmës dhe mbështetjes së madhe për popullin tonë”, tha Kurti.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës për të marrë detaje rreth vendit të strehimit të qytetarëve afganë në Kosovë, numrit të mundshëm të qytetarëve afganë që pritet të strehohen, por edhe kapaciteteve që ka Kosova. Megjithatë, ata nuk kanë ofruar informacione.

Kosova ka dy qendra të azilkërkuesve një në Magurë të Lipjanit dhe një në fshatin Vranidoll të Komunës së Prishtinës. Këto dy qendra kanë kapacitet të vogël dhe, në kushte optimale, mund të pranojnë jo më shumë se deri në 100 persona.

Si vend i mundshëm i strehimit është përmendur edhe Parku i Inovacionit dhe i Trajnimeve në Prizren, i cili ka qenë kamp i kontigjentit gjerman të KFOR-it. Ish-kampi ushtarak gjerman ka një sipërfaqe prej 40 hektarësh, me 52 ndërtesa.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar përfaqësues të Agjencisë gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) të cilët merren me menaxhimin dhe zhvillimin e Parkut. Por, ata nuk janë prononcuar për këtë temë, duke thënë se kjo është çështje bilaterale mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar më pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme për të parë kapacitetin e qendrave të mundshme ku mund të strehohen qytetarët afganë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur pyetjeve tona.

Izmi Zeka, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se në kohën kur ai ishte në këtë ministri në vitin 2019, kanë punuar në adaptimin e disa objekteve për refugjatë.

Zeka tha se me adaptimin e këtyre objekteve dhe me dy qendrat e azilkërkuesve Kosova ka kapacitet për strehim të jo më shumë se 3.500 personave.

“Unë besoj që Kosova ka duhet t’i ketë përfunduar punët rreth disa objekteve që kanë qenë në adaptim e sipër dhe besoj që në kushte optimale deri në 3.500 persona do ta ketë mundësinë për t’i pranuar. Kjo është llogaritur në raste të jashtëzakonshme”, tha ai.

Sipas tij, Kosova, me kapacitet e saj, mund të pranojë refugjatë, por jo për kohë të gjatë, por përkohë të shkurtër, si vend transit për refugjatët.

Në vitin 2017, kur Kosova filloi të pranojë një numër të refugjatëve nga vendet e Lindjes së Mesme, autoritetet thënë se e kishin një plan për strehimin e më shumë se 3.000 refugjatëve, nëse do të paraqitej nevoja.

Kosova nuk ka pasur numër të madh të refugjatëve, por përdoret nga refugjatët si vend transit për në vende të ndryshme të Evropës.

(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL)