Sa kohë mund të qendroni jashtë SHBA-së kur keni vetëm kartën e gjelbër

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Vëllai im ka green card. Aktualisht gjendet në Europë dhe dëshiron të qëndrojë aty për dy vjet që të kujdeset për prindërit e moshuar. Pyetja e tij është nëse mund të aplikojë për të marrë re-entry permit (lejen për t’u rifutur në Shtetet e Bashkuara) që aty ku është, pa qenë pra nevoja të kthehet në SHBA. 

JO. Nuk mund të paraqesë formularin I-131 Application for Travel Document që shërben për të marrë lejen e rihyrjes, në qoftë se nuk gjendet fizikisht në Shtetet e Bashkuara në momentin që bën aplikimin. Kërkesën duhet ta bëjë këtu. Megjithatë, nuk është e nevojshme të jetë në Shtetet e Bashkuara që Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) t’ia aprovojë kërkesën për leje rihyrjeje (formulari I-131) si dhe t’ia japë lejen sa kohë që USCIS-i ia ka marrë të dhënat biometrike (gjurmët e gishtërinjve dhe fotot përkatëse). Në formularin I-131 ai duhet të thotë që dëshiron që USCIS-i t’ia dërgojë lejen në fjalë në ambasadën apo konsullatën amerikane apo në zyrën përkatëse të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) jashtë SHBA-së, në mënyrë që të shkojë ta marrë në cilëndo nga këto zyra. Nuk ka nevojë të pajiset me këtë leje nëse rri jashtë territorit të SHBA-së më pak se një vit. Nëse personi ka qëndruar jashtë SHBA-së më pak se një vit, ai ose ajo mund të përdorë dokumentin e green card-ës (formulari I-551) si dokument udhëtimi.

Nëse qëndron në Europë, ka pasoja:

Green card-a bëhet teknikisht e pavlefshme për qëllim rihyrjeje në SHBA nëse personi në fjalë nuk ka qenë në SHBA për një vit ose më shumë se një vit. Gjithashtu, në rast se personi nuk ka qenë për një periudhë më të shkurtër se një vit dhe nëse është bërë rezident në një vend tjetër, atëherë ai/ajo do të konsiderohet si dikush që e ka ka hequr dorë nga statusi i rezidentit të përhershëm.

Alternativa e vetme është viza e posaçme emigruese për rezidentin që rikthehet – Returning Resident Special Immigrant Visa.

Një rezidenti të përhershëm (LPR) apo me kusht (CR) që ka qëndruar jashtë SHBA-së për një shumë se një vit ose përtej afatit të skadimit të lejes për të rihyrë në SHBA, do t’i duhet një vizë e re emigruese për të rihyrë në SHBA dhe për të rimarrë statusin si rezident i përhershëm. Ligji për vizat amerikane ka një dispozitë ligjore sipas së cilës një rezidenti të ligjshëm të përhershëm (LPR) që ka qëndruar jashtë SHBA-së për arsye dhe rrethana që nuk vareshin prej tij ose prej saj, i jepet viza e posaçme emigruese e rezidentit që rikthehet.  Rezidenti i përhershëm që nuk ka qenë në gjendje të rikthehet në SHBA brenda afatit të udhëtimit që ka green card-a (1 vit) apo afatit të lejes për të rihyrë (2 vjet) kualifikohet dhe mund të aplikojë pranë ambasadës apo konsullatës amerikane më të afërt për një vizë emigruese të rezidentit që rikthehet, viza SB-1. 

Kualifikohet personi që:

  • Në momentin e largimit nga Shtetet e Bahkuara kishte statusin e rezidentit të përhershëm të ligjshëm.
  • U largua nga Shtetet e Bashkuara me synim për t’u rikthyer dhe që nuk ka hequr dorë nga ky synim; dhe
  • Po rikthehet në Shtetet e Bashkuara nga një vizitë e përkohshme jashtë vendit dhe qëndrimi jashtë vendit përtej afatit të lejuar ka ndodhur për arsye që nuk vareshin nga personi vetë dhe për të cilat personi nuk mban përgjegjësi.

Nëse dëshiron të aplikojë për vizë emigruese SB-1, personi në fjalë duhet të kontaktojë ambasadën e SHBA-së apo konsullatën përpara se të ndërmarrë udhëtimin (të paktën tre muaj përpara, nëse është e mundur) në mënyrë që t’i japë kohë proçesimit të vizës. Pjesë e këtij proçesi është dhe një intervistë në ambasadën apo konsullatën e SHBA-së.

Dokumentacioni i nevojshëm:  

  • Formulari i plotësuar DS-117(Application to Determine Returning Resident Status)
  • Karta e Rezidentit të Përhershëm, formulari I-551
  • Nëse egziston, Re-entry Permit (leja për të rihyrë)
  • Personi duhet të paraqesë gjithashtu dokumenta në mbështetje të sa vijon:
  • Datat e udhëtimit jashtë SHBA-së (Për shembull: bileta avioni, vulat në pasaportë, etj.)
  • Dëshmi të lidhjeve që personi ka në SHBA dhe të synimit për t’u rikthyer aty (Për shembull: dokumentat e taksave si dhe prova të lidhjeve ekonomike, familjare dhe shoqërore me SHBA-në)
  • Dokumenta që dëshmojnë që qëndrimi përtej afatit jashtë SHBA-së ka ndodhur për arsye që nuk vareshin nga personi (Shembuj: pamundësi për arsye mjekësore, punësim nga një kompani amerikane, etj.)  

Një zyrtar konsullor do ta shqyrtojë aplikimin si dhe dokumentat në mbështetje të kërkesës për vizë për të vendosur nëse personi në fjalë i përmbush kriteret për të marrë statusin e rezidentit që rikthehet (viza SB-1). Nëse po, personi duhet të kualifikohet në çdo aspekt në mënyrë që t’i jepet viza emigruese SB-1.  

Tarifat që duhen paguar:

  • Tarifa për formularin DS-117 Application to Determine Returning Resident Status 
  • Tarifa për proçesimin e Formularit DS-260, 
  • Tarifat për kontrollin mjekësor dhe vaksinimet.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]