Sa të rrojë gjithësia…….do të rrojë Shqipëria.

– U festua 100 vjetori i Shoqërisë Qytezare Përparimi në Çikago –

Nga Kostaq Duka

Shoqata Qytezare Përparimi jo një herë e ka treguar veten të zonjë për organizimin e veprimtarive festive. Dëshmi kuptimplote janë pikniket e pervitëshme që bëhen në një nga parqet në rrethinat e Çikagos ku mblidhen te rinj e të moshuar ashtu si dikur në lëndinat e bukura të fshatit të tyre në Qytezën e largët apo festimet jubilare në përvjetorët e ditëlindjes së vetë shoqatës Përparimi. Mbahet mend nga të gjithë në veçanti qershori i vitit 2005 që mblodhi mbi treqind vendlindas shpërndarë kudo nëpër botë jo vetëm në Amerikë por edhe në Greqi, e Kanada.

Festimi i 100 vjetorit duhej të ishte  padyshim një risi e re. I parapriu kësaj ngjarjeje botimi i një almanaku me foto ku pasqyrohen ngjarje nga veprimtaritë e kontributet e shoqatës në 100 vite jetë, figura të shquara atdhetaresh, intelektualësh e artistësh që kanë ngritur lart vlerat e Qytezës së vogël e gjithë Shqipërisë.Almanaku i bashkangjitet librit “Qyteza dhe njerëzit e saj” botuar kohë më parë në shqip e në anglisht.

Kurorëzim do të ishte  mbrëmbja festive për 100 vjetorin e Shoqatës në  Empress Banquets ne Eddison më 12 maj. Një ambient festiv mbresëlënës. Bëhej kujdes që me të hyrë në sallë pjesëmarrësve u vendosej mbi kostum distinktivi i 100 vjetorit të shoqatës me pamjen e flamujve amerikan e shqiptar… Në sfond një pamje e bukur e fshatit Qytezë rrëzë malit Gramoz me vitet 1923 dhe 2023 dhe në anë xibuni gjithë ngjyra, kostumi tradicional i grave qytezare. Ishte ky sfond kuptimlotë që shërbeu gjatë gjithë kohës së mbrëmjes për të bërë në çifte e grupe të moshuar e të rinj, foto të ndryshme, si një kujtim i çmuar që do përcillet në vite.Në dy anë të podiumit flamuj amerikan e shqiptar.  Në një kënd të dukshëm në një monitor me përmasa të mëdha shfaqeshin foto nga Qyteza marrë në vite të ndryshme, lëndina, burime, përrenj, rrugë të shtruara me kalldrëm, ura ,cezma fshati, kishat e fshatit Shën Koll e Shën Thanas, te vjetrra, të rrënuara e më pas të restauruara gjithnjë me ndihmesë të pjestarëve të Shoqatës Përparimi, shtëpi të të parëve, më tej të braktisura si pasojë e emigracionit, më pas pamje nga rindërtimi apo ngritja nga themelet, Një shekull, një jetë e tërë. Emocionet që përjetoje nga shikimi në monitor shoqëruar padyshim edhe nga malli për të ikurit nga kjo botë merrnin dallgëzime të tjera edhe nga meloditë e këngëve e valleve popullore shqiptare qe janë pasuri shpirtërore që nuk do të tjetërsohet kurrë.

Salla u mbush plot e përplot.

Drejtuesi i mbremjes Rendi Sutter deklaroi hapjen e saj duke vlerësuar nderin që ju bë që të luante këtë rol. Ai me këtë rast me krenari tha se babai i vet Sam Sutter (Pano) që tashmë është ndarë nga jeta gjithë kohën i ka folur për fshatin e lindjes Qytezën duke i ushqyer për të një dashuri të veçantë. Ai i ftoi gjithë pjesëmarrësit të ngriheshin në  këmbë për të nderuar ekzekutimin e hymneve të flamujve  shqiptar e amerikan.

Më pas e mori fjalën presidenti i Shoqatës Qytezare Përparimi z. Aleko Iskali që mes të tjerash tha: Shoqëria Qytezare Përparimi mbushi 100 vjet që nga themelimi i saj më 1923. Ky bashkim vullnetar u nxit nga motivi për të mbajtur lidhjet me vendlindjen në Atdhe dhe për të përcjellë gjuhën dhe zakonet tona. Të duash vendlindjen është gjë e bukur. Ajo bujarisht na ka dhënë shumë dhe i detyrohemi po aq.

Me tej ai foli për ndihmesën që Shoqata dha në vitet 30-të për Qytezën si ngritja e ujësjellësit me zbatim inxhinierik, çezmave, ures së gurtë, shtruarjen me kalldrëm të rrugëve, ngritjen e shkollës dhe restaurimin e Kishës se Shën Thanasit.Rol të madh pjestarët e shoqatës dhanë për ngritjen e Kishës së Shënkollit këtu në rrethinat e Çikagos.

Emigracioni ka bërë punën e vet. Në Çikago kanë ardhur shumë vendlindas. Pjesëmarrja në këtë sallë e dëshmon më së miri këtë

Folësi u shpreh se edhe pse fshati Qytezë ka pësuar tkurrje të ndjeshme optimizmi nuk mungon. Fakti që banorë me banim në Amerikë po restaurojnë shtëpitë e vjetra, asfaltimi i rrugës deri në qëndër të bëjnë të shpresosh.  

Kjo fjale u percoll dhe në gjuhën anglisht nga e reja Meri Kolçe

Një ndjesi medituese të ngacmonte duke përjetuar atmosferën e kësaj mbrëmjeje të gëzuar. Sa larpamës kanë qënë ata të parët që vunë themelet e kësaj shoqate. Të merrnin dashurinë për fshatin dhe të mbillnin dashuri tek brezat më të rinj. Qyteza gjallon në tërë këtë familje të madhe të bashkuar. Dhe mos harrojmë bëjmë fjalë për një fshat në kufij të skajshëm. Ajo ndodhet në juglindje të qytetit të Korçës, në Devollin e Sipërm rrëzë malit të Gramozit. Në lindje kufizohet me Greqinë.Është e vendosur në dy anë të pjerrësive që i ndan një lumë i vogël nën korrije.

 Një fshat i vogël që kohës i solli burra të mëdhenj si intelektualë e veprimtarë që lanë gjurmë në historinë shqiptare si Kolë Tromara. Në fushën e sportit të viteve 30-të një yll si Teli Samsuri. Në fushën e artit kinematografik artistët me famë botërore Xhon e Xhim Belushi.Në mjediset e Qytezës u rrit dhe mori rrugën e rritjes edhe shkrimtari Petraq Samsuri E po kështu nga Qyteza e vogël kanë dalë një numër i madh mësuesish si figura e shquar e arësimit në rrethin e Korçës Dhimitër Farmaqi.  Eci me krenarinë e të qënit qytezar edhe doktori shkences fizike sot me banim në Santa Clara Kaliforni Vasil Pajçini. Një numër i madh biznesmenësh si Nick Vangel kanë lënë gjurmë me punën e tyre në Amerikë. Sukseset e individëve jane edhe krenari e nder per qënien qytezar.

Drejt podiumit për të thënë diçka u drejtua përsëri Rendi Sutter. Cila ishte e reja? Ftoi, tha ai të ngrihen më këmbë gjithë pjestarët e tavolinës Nr 13. Ata janë më të rinjtë mes nesh. Të rinjtë e të rejat, e tavolines 13-të lindur e rritur ne Amerikë nga prindër të ardhur me bashkim familjar pas viteve 90-të u çuan më këmbë plot hare e gjallëri. Salla i shoqëroi plot duartrokitje. Atmosfera u ndez nga vallet tradicionale të qytezës e krahinës përreth luajtur plot hijeshi nga grate, burrat e të rinjtë pjesëmarrës. Ja dhe një pasuri që bartet në kohë. Herë, herë edhe valle plot dinamizëm nga Veriu i Shqipërisë por edhe valle greke.

E ftuar në këtë festë ishte këngëtarja e mirënjohur Ermira Babaliu që së pari percolli këngët popullore “Dymbëdhjetë gërshetat” dhe “Kur më zbret nga Voskopoja” që e rritën rrethin e madh të valles.

Padyshim mbresëlënës ishte momenti kur organizatorët ftuan të gjithë pjesëmarrësit për të bërë  së bashku fotografinë e e 100-vjetorit të shoqatës. Është e herëshme kjo ide. Ajo lindi nga ata qe vunë të parët themelet. Dhe ja sot kemi plot dëshmi në vite.  Mes qytezarë edhe shqiptarë te tjerë të ftuar si për të pohuar lidhjen e gjakut qe na bashkon të gjithëve.  Tek shikoja këtë grumbullim masiv disa më kambë e disa ulur për të bërë fotografinë, përjetova  përcjelljen me aq pathos të vargjeve të birit të Qytezës Kol Tromara  nga Kori i Këngëve Karakteristike Korçare “Lira” Sa të rrojë gjithësia/ Sa të rrojë gjithe dheu/Do të rrojë Shqipëria /Edhe emri i mëmëdheut.