Sa trupa të forcave ruse janë vrarë vërtet në Ukrainë

13,414 të vrarë, 7,000 të humbur (plus 116 marinarë të vdekur në bordin e anijes Moskva, plus më shumë se 100 që ende të humbur.)

Nga Ruben Avxhiu

Këto shifra u botuan nga një burim i medias ruse i afërt me Kremlinin, “Readovka”, si të komunikuara nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë në një takim me dyer të mbyllura.

Postimi sigurisht tërhoqi interes të madh sepse Rusia e ka shmangur rregullisht komunikimin e numrit të të vrarëve dhe plagosurve në krahun e Rusisë gjatë pushtimit të Ukrainës. Në mungesë të këtyre komunikimeve opinioni është mbështetur vetëm në deklaratat e ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës dhe hamendjeve të shërbimeve të inteligjencës perëndimore që përpiqet të dallojë teprimet dhe propagandën nga faktet në terren.

Është interesant se po t’i mbledhësh shifrat e mësipërme, shuma nuk është larg nga komunikimi i një dite më parë, 21 prill, i Kijivit, që thotë se 21,000 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës.

Tani “Readovka” e fshiu postimin. Historia ngjan me gazetën tjetër pro-Kremlin, “Komsomolskaya Pravda”, e cila në 21 mars dha shifrën e 9,861 ushtarëve të vrarë por pastaj e fshiu postimin, duke thënë se ia kishin “hakeruar” llogarinë dhe se nuk e kishin botuar ata këtë shifër. Ndërkohë “Readovka” ende nuk ka bërë ndonjë sqarim për postimin e fshirë.

Ngurrimi i medias është i kuptueshëm. Në bazë të aprovuara së fundi, në Rusi mund të dënohesh deri në 15 vjet burg nëse boton “lajme të rreme” për ushtrinë. Problemi është se çdo lajm që nuk i pëlqen Kremlinit mund të shpallet “i rremë”.

Nga ana tjetër, mungesa e deklarimeve të rregullta nga Moska vetëm sa e ka shtuar bindjen se trupat ruse kanë pësuar humbje serioze në luftën për pushtimin e Ukrainës. Drejtuesit e ushtrisë ruse pasi kanë zhvatur buxhetin 60 miliardë dollarë në vit, për dy dekada, tani fshehin përmasat e një humbjeje turpëruese. Kë mbron vërtet mbulimi i numrit të të vrarëve?

Rusia së fundi është tërhequr nga pushtimi i kryeqytetit ukrainas dhe veriut në kufi me Bjellorusinë, për të përqendruar forcat në lindje dhe jug të vendit. Diçka që mbase duhej ta kishin bërë qysh nga fillimi, nëse nuk do ta kishin nënvleftësuar vendosmërinë e kombit ukrainas për të mbrojtur trojet e tij.

Humbjet e forcave ruse sipas Ukrainës – raporti i datës 21 prill 2022