SAKRIFICE QE SJELL BASHKIMIN, PER TE FITUAR AMERIKEN ME TE MIRAT E SAJ

Nga Tajar  DOMI

            U bashkuam dhe shijuam  një darkë shumë të këndëshme para pak ditësh tek Restauranti “ Il Fiore“ në Nju Xhersi që është pronë e vëllezerve Jashar e Hekuran Daku, një ambjent dhe ushqim që pak ka të krahasueshem. Djali më Iivogël i shokut tonë Hysë Hasa , Sokoli , na ftoi të ishim së bashku këtë mbrëmje me zoterinjtë Bujar Gjoka, Eqerem Murataj dhe unë. Sigurisht, nuk kishte si të mungonte vetë z. Hysë.

Në këtë periudhë të vështirë nga shumë anë, askush nuk të duket si më parë. Por pa e kuptuar që edhe vetë mund të dukesh apo të jesh disi i c’orientuar. E në këto rrethana të krijuara vecanërisht si efekt i pandemisë covid-19, ftesa të tilla janë të rralla por shumë të mirëpritura. Prandaj të gjithe ishim plot humor e dashamirësi në bisedat që shoqëruan orët e qëndrimit aty. Hysa, i cili në komunitet si dhe në vendlindje tashmë është  i njohur si një intelektual që ka marrë përsiper të evidentojë sa më shumë vlera njerëzore, intelektuale, shkencore e histori kryesisht të Kukesit e kuksianeve, por edhe më gjerë, nepërmjet librave të tij me mbi 10 mijë faqe, nuk ka harruar të marrë me vete njerin prej këtyre librave për t’ja dhuruar nënës të Jasharit e Hekuranit, ku është shkruar edhe për djemtë e vëllezërit e saj. Vëllezërit Daku e pranuan me kënaqësi duke e falenderuar e uruar mikun tonë edhe në emer të nënës së tyre. Kështu, biseda jonë kishte filluar, menjëherë pasi Hysa e Sokoli na uruan mirëseardhjen. Unë, tha Sokoli, kam më shumë se 7 vite këtu në Amerike dhe prej asaj kohe kam punuar e jam shkolluar. Por punën në profesionin tim si inxhinier mekanik që nga Shqiperia, kam rreth një muaj që e kam filluar. U intervistova dhe u pranova në një kompani të madhe të prodhimeve farmaceutike, ku punon edhe kryetari ynë i nderuar z. Bujar në një pozicion të rëndesishëm menaxhues. Unë jam i sigurtë se emri i tij ka qenë mbeshtetës i fuqishëm për të fituar kêtë vend pune, prandaj edhe dua ta falenderoj e ti uroj sukses të mëtejshëm në punën e tij. Bashkë me babën Hysë, deshëm ta ndajmë këtë gëzim dhe hap timin në punësim, me ju si miq e shokë të afërt. Mund të ishim edhe më shumë të tjerë, por situata nuk na lejoi.

            Ndërsa Sokoli fliste, unë ktheja mendimet pas duke sjellë në kujtesë kohën kur ai erdhi nga Tirana në Filadelfia në vitin 2014, tek prindërit me një vizë turistike bashkë me të shoqen, ekonomisten Erina.  Sokoli kishte mbaruar Universitetin Politeknik në Tirane për inxhinieri Mekanike në vitin 2010 dhe punoi në profesion për rreth 3 vite në Bazen e Transportit të Ushtrise në Tirane. U regjistrua këtu në Filadelfia në një kolegj , fillimisht në CCP kolegj ku mori klasat detyruese të gjuhës angleze e pas këtyre në vitet që pasonin studioi edhe në Temple University për Menaxhim- Bisnes. Pagoi për të gjitha vitet që ndoqi këto studime  shuma të konsiderueshme , pasi të gjithë e dimë se cfarë kostoje kanë kolegjet në Amerike, vecanërisht për ata që nuk janë resident. Ndoshta, për arësye të kushteve ekonomike që kishte si familje, nuk do ta kishte bërë gjithë këtë sakrificë, por Amerika është e dashur për tu banuar e jetuar. Prandaj Sokoli gjatë gjithë këtyre viteve, ishte i detyruar të ndiqte këtë rrugë si mundësia më e shpejtë për tu bërë banor i ligjshëm në Amerike. E më në fund kjo ditë erdhi, dhe që nga muaji Shkurt 2020 Sokoli, Erina, vajza 8 vjecare Irisi dhe djali 4 vjecar Henri, janë të paisur me Green Card si resident të përhershëm në Amerike. Për të përballuar nevojat financiare, ai nuk ju nda punës duke punuar kryesisht në restaurante , ndertim etj.  Shume shpejt, në gjurmet e babës tij, ai u angazhua në komunitet dhe kontriboi për katër vite si antar i kryesisë të shoqatës “Bijte e Shqipes”. Dhe ja erdhi rasti që shoqata nëpërmjet kryetarit të saj, të bëhet mbështetëse për një fillim pune. Urime ing. Sokoli!

            Duke vazhduar bisedën në tavolinë, e pyesim Bujarin në se janë shtuar shqiptarët në kompaninë tuaj International Vitamin Coorporation ( IVC ) këtu në Filadelfia . Ai fillon e tregon:  Shqiptarët tashmë përfaqesojnë një pjesë të rëndësishme të të punësuarve në kompani. Sigurisht që pëlqimi dhe marrja në punë e të rinjve nga drejtuesit, përvec aftësive e shkollimit duhet të shoqërohet edhe me njohjen e mbështetjen e dikujt që të njeh, nga brenda ndermarrjes. Dhe për fat të mirë, të punësuarit shqiptar të mëhershëm këtu kanë qenë “dorë lëshuar” në mbështetjen e më të rinjve nga komuniteti. Eshtë një qendrim i duhur ky nga Arturo Mucaj, Maqo Poreci, Luan Hysenbelliu, Teuta Rrokaj, Gjoke Pellumbaj, Alket Dede, Leonidha Shella etj , të cilët nëpërmjet punës kanë afirmuar aftesitë profesionale, sjelljen e korektesën e tyre, duke u bërë një zë i mirë e referues për më te rinjtë e këtyre dy viteve si: Tauland Prifti, Romelda Cela , Elvira Roci, Telo Beluli , Fitim Hamza , Ylber Feruku, Elvira Hoxha, Sokol Hasa etj.

Ky lloj informacioni që na dha Bujari, në fakt na mbushi me gëzim. Për hirë të së vërtetës, shqiptarët po e gjejnë veten në kompani të tjera të mëdha si Marshall, Cordone, Septa etj si punëtor e menaxhues, por edhe në bisneset e tyre të shumta, në spitalet e qendrat e shendetit, në shkollat publike e private, në aeroporte e në administraten qendrore të qytetit të Filadelfias. Shtimi i numrit të  punësuarve për shqiptarët në të gjithë sektorët, ka ardhur përvec të tjerave edhe nga dëshira e mirë e njohja midis tyre duke i dhënë njeri tjetrit mbështetjen që kërkohet për të fuqizuar secilin person e familje, por edhe gjithë komunitetin njëkohësisht.

Sigurisht, në këtë proces ku takimet, njohjet, këshillimet, kontributet, ndihmat etj ndjehen si nevojë e janë gjithnjë në rritje, unë vecoj edhe ekzistencën e punën e gjithanshme të shoqatës “Bijte e Shqipes” gjatë këtyre 20 viteve këtu në Filadelfia, si faktor të rendësishëm të realizimit të këtyre nevojave. Tashmë bashkatdhetaret tanë po e shohin dhe po e shfrytëzojnë hapësirën e informimit të kësaj Qendre për të reklamuar bisneset, për të njoftuar nevojat për pune ( të bisneseve por edhe të punë – kërkueseve) , nevojat për qiramarrje por edhe dhënie shtëpish , njoftime fatkeqësish etj. FB i saj ka 5 mijë anetar e shumë më tepër ndjekës, dhe administrohet mjaft mirë e në kohë reale. Kjo do të thotë se nevojat e mësipërme shumë shpejt shpërndahen thuajse në të gjitha familjet shqiptare.  Në këtë mënyrë arrijmë një bashkëpunim të mirë e që është i domosdoshëm për ti bërë shqiptarët të ndjehen bashkë e ti gjenden pranë njeri – tjetrit .

Në disa shkrime të mëparshme, unë jam munduar të kundërshtoj disa thënie jo të bazuara në lidhje me bashkesinë shqiptare në emigrim si: “Mos u merr me shqiptar”, “Më mire merr një të huaj (ose shko tek një i huaj) se një shqiptar”, “Shqiptarët nuk bëhen bashkë“etj . Dhe unë mendoj se kundershtimi i këtyre tezave e afrimi i shqiptarëve, duhet të jetë në mendjen e punën e cdo njërit prej nesh. Shpesh dëgjojmë të themi ndër biseda me shokë e miq të bisnesit se kisha kaq shqiptar në punë, por tani kanë mbetur vetëm gjysma e të tjerët ikën, kërkojnë rritje rroge pa filluar akoma e të tjera pretendime. Këto mund të  jenë një realitet ndoshta. Por pse duhet ti përgjithësojmë gjithë shqiptarët për pak raste, pasi edhe pse jetojmë në Amerike ne nuk kemi ardhur të zgjedhur, të shkolluar, punëtor, pa vese e komshinj të mirë. Jo. Jemi të mbledhur nga të gjitha shtresat shoqërore e thuajse nga të gjitha zonat e Shqipërisë. Kështu që do të kemi brenda nesh edhe dëmbel, edhe frekuentues kafenesh e bixhozi, por jo tē gjithë amá. Eshtë e padrejtë që të vlerësojmë veten e komunitetin me ato cilësi që nuk i kemi. Shpesh për t’ju dhëne fuqi ideve tona për vështërsitë e punës me njerëzit tanë, ju referohemi komuniteteve të tjera si atyre cifute, greke, ruse etj, duke e ngritur në qiell të kundërtën e atyre që thamë për shqiptarët. Por edhe ata nuk janë plotësisht sic ne na cfaqen. Brenda tyre edhe ata kanë mjaft si pjesa jonë , por ama ata nuk i degjojmë të etiketojnë komunitetin e tyre në përgjithësi sic bëjmë ne. Ata i fryjnë bashkimit e jo refuzimit, jo ndarjes.

Megjithatë, vemë re me kënaqësi se përdorimi i thënieve të mësipërme viti pas viti po ulet me shtimin numerik të bashkatdhetarëve tanë dhe me eksperiencën e punës qe fitojnë këtu. Prandaj, i dashur bashkatdhetar në emigrim, merru me shqiptarët se janë gjaku yt. Beso tek ata, ndihmoi ata kur ke mundësi se do të kthehet një ditë prej tyre. E në se nuk e ke mundësinë për ti ndihmuar apo për t’u ndihmuar, kurrë  mos përdor fjalë apo “aksioma“ negative për shqiptarët në tërësi. Këtë duhet ta bejmë jo thjeshtë  për tu dukur atdhetar, por se shprehje të tilla nuk jane një realitet.  Realiteti është ndryshe: Shqiptarët janë të zgjuar, te ditur, miqësor e punëtor të mëdhenj, po shkollohen dhe po ecin vetem në ngjitje me angazhimet në bisnese, në shkence e kudo, në diasporën tonë në cdo vend të botës ku ata jetojnë. Duke lartësuar veten, bëhen mbështetës edhe për cdo shqiptar tjetër afër apo larg qofshin.