Sali Berisha: E nisët me Dushan Mugoshën e mbyllët me Boris Tadiçin

Kryeministri reagon në Facebook për krijimin në Shkodër të aleancës së majtë

 

Kryeministri Sali Berisha nuk ka vonuar t’u përgjigjet të majtëve pas nënshkrimit të aleancës së tyre parazgjedhore.
Duke përfituar nga prania e ish-presidentit serb Boris Tadiç në Konferencën e Partisë Socialiste Europiane dhe në ceremoninë e nënshkrimit, Berisha e ka vënë ngjarjen në kontekstin historik duke u kujtuar shqiptarëve se PS është vijuese e Partisë Komuniste në themelimin e të cilës kishte gjithashtu serbë.
“Të dashur miq, sot në Shkodër majtistët firmosën epitafin e Rilindjes mavi. Për koincidencë apo ironi të fatit pikërisht ata që ua themeluan partinë në nëntor të vitit 1941, ua rithemeluan atë në prill të vitit 2013”, thotë me shpoti kryeministri në faqen e tij në Facebook që ndiqet nga qindramijëra shqiptarë. “Gazetarët dhe kronikanët e partive te tyre, që po kërkonin me ngulm ne çdo qoshe, dhome, madje dhe tualet të ndërtesës hijet e Dushan Mugoshës apo Bllazho Jovanovicit si dëshmitarë të aktit të rithemelimit, u qetësuan kur mësuan se në mungesë të tyre aktin e rithemelimit të Partisë rozë mavi e kishin formuluar me kujdesin atëror Vojo Koshtunica dhe Oliver Mugosha. Ndërsa për hymnin e këtij akti, Rama kishte zgjedhur Marshin mbi Kosovën të Goran Bregovic, të njeriut që Rama i vari Çelësin e Artë të kryeqytetit të Shqipërisë kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Udhë të mbarë drejt të shkuarës!”
Në fakt, “Vojo Koshtunica” është kundërshtar politik me Boris Tadiçin, të cilin Berisha ka treguar kujdes që ta ndajë nga të tjerët në reagimin e tij. Ndoshta socialistët do të kapen me këtë punë, kur të kundërpërgjigjen.
Megjithatë, nuk është çudi që prania e Tadiçit të jetë një problem për Ramën ndërkohë që shqiptarët në këto zgjedhje kanë një frymëzim më shumë patriotik. Do të jetë edhe më e vështirë ndoshta tani që të fusë në xhepin e tij edhe Aleancën Kuq e Zi, e cila është shumë e ndjeshme nga prania e fqinjëve në politikën shqiptare.
Rama ka sjellë socialistët europianë në Shkodër ndoshta për ta sfiduar Berishën duke e bërë festën në një nga kështjellat e Partisë Demokratike. Gjithashtu Rama mund të ketë qenë dakord për praninë e Tadiçit për t’i treguar Perëndimit se Rama do të jetë kryeministri internacionalist dhe jo si “nacionalizmi primitive” i Berishës.
Të dy udhëheqësit kryesorë kanë bërë prapaktheu nga retorika patriotike e disa javëve me parë, por Rama me paktin me “partinë e grekëve” dhe këtë konferencë me prani të gjerë ballkanike duket se ka kërcyer më larg nga të gjithë.
Ndërkohë duket se Partia Demokratike ka nisur konsultimet me aleatët për krijimin e koalicionit parazgjedhor. Nuk janë pak por të paktën një duzinë partish të vogla që vijnë me oreks të madh e kontribut të vogël. Mirëpo përballë zgjerimit të koalicionit socialist, çdo votë është e vyer. Në selinë e PD krerët e partive të vogla i kanë pritur Sekretari i Përgjithshëm Ridvan Bode dhe këshilltari i kryeministrit Oerd Bylykbashi. Berisha nuk do të merret me ta pa e deklaruar bashkëpunimin.
Koalicioni është i larmishëm, me republikanë e legalistë, me çamë e demokristianë, me ballistë të djathtë e me agrarë të majtë.
Kreu i PLL-së, Ekrem Spahia, ai i PDK-së, Nard Ndoka, Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli, Adriatik Alimadhi i Ballit Kombëtar, drejtuesi i LDK, Nikollë Lesi dhe kryetari i Lëvizjes Shqipëria e Re, Edmond Vlashaj ishin trimat e ditës së parë.
Pas tyre priteshin kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ai i LZHK-së, Dashamir Shehi. Sot do të jetë takimi me Partinë Republikane që mbase është partia më e fortë mes kësaj aradhe partish të vogla.

Comment

*