Sali Berisha pranon humbjen e zgjedhjeve, dorëhiqet nga PD

Rreth orës 20 të së mërkurës Sali Berisha pranoi humbjen në zgjedhje dhe u tërhoq nga detyrat në Partinë Demokratike. Zoti Berisha tha se është udhëhequr nga përkushtimi për integrimin euroatlantik të Shqipërisë, ndërkombëtarizimin dhe pavarësinë e Kosovës

 

Denion Ndrenika

Kryeministri Sali Berisha pranoi humbjen në zgjedhjet e 23 qershorit dhe dha dorëheqjen nga të gjitha detyrat, përfshi si kryetar i Partisë Demokratike. Mbrëmjen e së mërkurës, zoti Berisha përgëzoi kundërshtarin opozitar Partinë Socialiste për fitoren dhe mori përsipër përgjegjësinë për humbjen: “Unë kam qenë gjithnjë i vendosur t’i bindem plotësisht verdiktit të sovranit, i cili foli qartë në këto zgjedhje. Duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve, i uroj kundërshtarit, fituesit, mbarësi në detyrën e tij të lartë! Për këtë humbje, e tërë përgjegjësia bie mbi një njeri, vetëm mbi mua Sali Berishën! Kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet, forumet e Partisë Demokratike, të jem thjesht njeri prej jush, anëtar i Partisë Demokratike dhe deputet i saj”.
Kryeministri garantoi mbështetje për udhëheqësinë e re të Partisë Demokratike: “Të punoj me përkushtim të madh sëbashku me ju dhe me lidershipin e ri për të mbrojtur, promovuar si opozitë vlerat parimet, themelore të programit tonë, për ta shndërruar atë përsëri në një program të shumicës së shqiptarëve. Dhe, të ecim drejt fitores së betejës më të afërt që na pret”!
Zoti Berisha tha se është udhëhequr tërë jetën nga përkushtimi për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian si dhe ndërkombëtarizimi dhe arritja madhore e pavarësimit të Kosovës: “Ne arritëm të vendosim çështjen e lirisë së shqiptarëve në Kosovë në axhendën e kancelarive, samiteve dhe organizatave më të fuqishme të botës. Bazuar në parimin “Një komb, një qëndrim!” mbështetëm me të gjitha mundësitë tona luftën çlirimtare heroike të shqiptarëve në Kosovë e më vonë në Maqedoni. Ne e mbështetëm fuqishëm pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Republikës së Kosovës. “Koha është tani për pavarësinë e Kosovës”, – do të shpallte në Tiranë në qershor 2007 presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh ë. Bush”.
Mijëra mbështetës të Partisë Demokratike përshëndetën me thirrjet “Berisha, Berisha, Berisha, Berisha, Berisha!” kryeministrin në detyrë deri në javën e parë të shtatorit kur besohet të nisë punën qeveria e re. Zoti Berisha ka qenë dy herë president dhe dy herë kryeministër, themelues dhe drejtues i së djathtës pas rrëzimit të regjimit diktatorial komunist në Shqipëri që prej 8 dhjetorit 1990.
Rezultatet
Megjithatë, vërehet se Partia Socialiste ka fituar vetëm 1 deputet më shumë se në zgjedhjet e vitit 2009, pra nuk ka arritur të fitojë 71 deputët që do të thoshte fitore e zgjedhjeve pa pasur nevojë për koalicionin që udhëhoqi “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Kjo pritet të jetë një temë e gjerë diskutimi në PS, pasi në 8 vjet opozitë kundërshtarët e kryetarit Edi Rama mund ta shfrytëzojnë këtë shifër për ta sulmuar atë. Në 23 qershor PS fitoi 66 deputetë, Lëvizja Socialiste për Integrim e ish-kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe të Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjetikës në vitet 1999-2011, Ilir Meta fitoi 16 deputet, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 1 deputet, pra gjithsej 84. Kurse, Partia Demokratike e zotit Berisha fitoi 49 deputetë, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e njohur si “Partia e Çamëve” 4 deputetë, Partia Republikane e ish-ministrit të Mbrojtjes, në detyrë tani si ministër i Mjedisit, Fatmi Mediu 3 deputetë, ose gjithsej 56 deputetë si koalicion “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”. Por, në listat e PD-së është përfshirë vetë zoti Mediu, pra republikanët janë 4 deputetë në Kuvend si dhe Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe Nard Ndoka i Partisë Demokristiane.

Comment

*