Sali Berishës i ndalohet hyrja në SHBA, për shkak të përfshirjes në korrupsion

Uashington, 19 maj 2021 – Departamenti Amemrikan i Shtetit ua ka ndaluar hyrjen në territorin e Shteteve të Basdhkuara të Amerikës ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë.

Në një deklaratë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhet se zoti Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.

“Aktet korruptive të ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha e minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë i shpall publikisht Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të afërt të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e Sekretarit Blinken, të publikuar në Twitter.

“Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjet antikorrupsion dhe masat e përgjegjshmërisë. Me këtë përcaktim, unë rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”, thuhet më tutje në deklaratë.

“Ky përcaktim bëhet në bazë të Rregullores 7031 (c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme dhe Programet Përkatëse të Financimeve, 2021. Përveç Berishës, përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkelzen Berisha dhe vajzën, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

“Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA për mbështetjen e reformave politike thelbësore për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë në krah të popullit të Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë kompetenca si kjo për të nxitur kërkesën e llogarisë ndaj aktorëve të korruptuar në këtë rajon dhe globalisht,” thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Sali Berisha ka qenë President i Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 1997. Ai ka qenë edhe Kryeministër i Shqipërisë prej vitit 2005 deri në vitin 2013.

Berisha ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë, prej zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri. Ai është zgjedhur deputet edhe në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

(r.m.)