Samiti për klimën bën thirrje për heqjen nga përdorimi të qymyrit

Glasgou (Skoci), 12 nëntor 2021 – Samiti i këtij viti i OKB-së mbi klimën, që u mbajt në Glasgou të Skocisë, u duk se u tërhoq nga një thirrje për t’i dhënë fund tërësisht përdorimit të qymyrit, e për të ndalur plotësisht subvencionet për karburantet fosile. Por, grupet negociatore që punuan për projek-propozimin përfundimtar të takimit të nivelit të lartë u dhanë vendeve të varfra shpresë për më shumë mbështetje financiare për t’u përballuar me ngrohjen globale.

Në projekt-propozimin e publikuar të premten u bëhej thirrje vendeve që të përshpejtojnë heqjen nga përdorimi të qymyrit, nëse ai nuk shoqërohet me teknologji që neutralizon gazet e dëmshme. Po kështu në projektpropozim bëhet thirrje për ndaljen e subvencioneve joefikase për lëndët djegëse fosile.

Një propozim i mëparshëm, i paraqitur të mërkurën ishte më i ashpër në formulim. Në të u bëhej thirrje vendeve të “përshpejtonin heqjen graduale të qymyrit dhe subvencioneve për karburantet fosile”.

Projektpropozimi i publikuar të premten ka të ngjarë t’i nënshtrohet negociatave të mëtejshme.

Helen Mountford, një eksperte mbi çështje të klimës në Institutin e Burimeve Botërore, tha se lejimi i vendeve që të përcaktojnë se cilat subvencione i konsiderojnë joefikase, do ta zbehte marrëveshjen.

Përdorimi i lëndëve djegëse fosile, të cilat janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të ngrohjes globale, ka qenë një nga pikat kryesore të debatit në bisedimet dy-javore në Glasgou.

Shkencëtarët pajtohen se është e nevojshme t’i jepet fund përdorimit të tyre sa më shpejt të jetë e mundur, për të përmbushur objektivin ambicioz të marrëveshjes së Parisit të vitit 2015, që ngritja e temperaturës të mos jetë më e lartë se 1.5 gradë Celsius. Por përfshirja në mënyrë të qartë e një thirrjeje të tillë në deklaratën e përfundimtare është një çështje me ndjeshmëri politike, edhe për vende si Arabia Saudite, që druhen se shënjestra e radhës do të jenë nafta dhe gazi.

Një problematikë tjetër ishte ajo që lidhej me ndihmës financiare për vendet e varfra për t’u përballuar me ndryshimet klimatike. Vendet e pasura nuk arritën t’u siguronin atyre 100 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2020, ashtu sikundër ishte rënë dakord, duke shkaktuar zemërim të konsiderueshëm mes vendeve në zhvillim.

Projektpropozimi përfundimtar e pasqyron këtë shqetësim, duke shprehur “keqardhjen e thellë” që objektivi prej 100 miliardë dollarësh nuk është arritur. Në të u bëhet thirrje vendeve të pasura të rrisin financimet.

Në projekpropozim flitet gjithashtu për krijimin e një fondi për të kompensuar vendet për dëmet serioze që shkaktojnë ndryshimet klimatike. Vendet e pasura si Shtetet e Bashkuara, të cilat historikisht njihen si emetuesit më të mëdhenj të gazeve që shkaktojnë efektin serrë, janë kundër detyrimit me ligj për të paguar për humbjet dhe dëmet që pësojnë vendet e varfra.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*