Sarajeva pret Papa Françeskun me shtatoren e të Lumes Nënë Terezë

Shtatorja e Nënës së Lume Terezë me një fëmijë është vepër e skulptorit Pjerin Kolnika me financimin e shqiptaro-amerikanit nga Detroti, Marash Kolë Nucullaj dhe nismën e ish-ambasadorit të Shqipërisë në Sarajevë, Flamur Gashi

Bisedoi: Denion Ndrenika

Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995 që i dha fund, masakrave, genocidit të serbëve në Bosnje e Hercegovinë nuk lejon vendosjen në sheshe të veprave me ndjeshmëri të etniteteve.

Mirëpo, shqiptarja Gonxhe Bojaxhi, e Lumja Nënë Tereza e Kalkutës ka bindur autoritetetet e kryeqendrës Sarajevë që të pranojnë vendosjen e shtator për nder të saj.

Shtatorja e të Lumes Nënë Terezë do të vendoset në qendër të Sarajevës në 4 qershor, dy ditë përpara vizitës së Papa Françeskut.

Vepra e punuar nga skulptori Pjerin Kolnika paraqet të Lumen Nënë Terezë me një fëmijë në lartësinë 2 metra dhe me peshë 360 kilogramë të derdhur në bronz.

Shtatorja është mundësuar me financimin e shqiptaro-amerikanit nga Detroti, Marash Kolë Nucullaj dhe nismën e ish-ambasadorit të Shqipërisë në Sarajevë, Flamur Gashi.

“Pasi unë e shpreha, dëshirën e kishte dëgjuar një miku im nga Detroiti, që në fakt është nga fshati Kojë i Malësisë së Tuzit*, Marash Kolë Nucullaj”-thotë ambasadori Gashi, këshilltar për rajonin i presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.

Marash Kolë Nucullaj ishte në Tiranë gjatë vizitës së Papa Françeskut në 21 shtator 2014 kur mësoi për nismën dhe u ofrua vullnetarisht për ta financuar tërësisht pagesën.

“Unë i jam shumë mirënjohës Marash Kol Nucullajt nga Koja e Malësisë, i cili jeton në Detroit për këtë dhuratë të çmueshme”-thotë Gashi.

Ai tregon se nismën e kishte marrë kur zhvillonte takimet e lamtumirës si ambasador i Shqipërisë në Bosnje e Hercegovinë në një takim me kryebashkiakun e Sarajevës.

“Ai më pyeti se çfarë do të lija unë për kujtim në Sarajevë, pasi mbarova mandatin. Pra, çfarë lidhjesh do të lija unë me Sarajevën”, – thotë Gashi, duke pranuar se ishte “zënë ngushtë”.

-Çfarë i thatë zoti Gashi kryebashkiakut të Sarajevës?

-Flamur Gashi: “Mbeta pak në pozitë të vështirë, sepse realisht nuk po dija çka të bëja. Mirëpo, aty për aty më lindi menjëherë ideja dhe i thashë se do të lija disa preferenca që kryebashkiaku t’i zgjidhte.
“Unë dua një shesh ndërtimi”, – i thash. Ai ka menduar se mos kërkoja shesh ndërtimi për ambasadën apo tjetërçka. Kryebashkiaku mbeti disi, por unë e sqarova se e doja sheshin e ndërtimit për të vendosur një shtatore. Ai andaj dhe më pyeti se “çfarë shtatoreje”.

-Veprat që mund të cenojë ndjeshmëritë e grupeve etnike apo fetare, ndalohen të vendosen sipas Marrëveshjes së Dejtonit.

-Flamur Gashi: “Jo, jo të atillë. Unë iu përgjigja dhe i thash se shtatorja do të ishte e Nënë Terezës. Paskëtaj, me kryetarin e Sarajevës shkëmbyem disa fjalë që lidheshin me zotimin e tij se do të bënte të pamundurën.
I thash që “ti e mban fjalën”, por ai ma ktheu që “unë e mbaj fjalën, por duhet ta mbash edhe ti”. E tëra kjo ka ndodhur në tetorin e vitit të kaluar”.

-Çka më tutje?

-Flamur Gashi: “Kur kam ardhur këtu në Tiranë, kam kontaktuar disa skulptorë të ndryshëm.
Meqënëse ishte donacion privat i imi dhe dhuratë e imja private, do të doja të bëhej sipas preferencave të mia”.

-Domethënë një vepër që t’u pëlqente ju ishte e mjaftueshme?

-Flamur Gashi: “Nuk thash këtë. Unë u konsultova me miq të mi skupltorë, akadamikë të mirë dhe në fund u përcaktuam për një skulpturë të Pjerin Kolnikës, që është e veçantë. Ajo është Nënë Tereza me një fëmijë”.

-Pranoi autori? Çfarë paraqitjeje ka në përmasa vepra?

-Flamur Gashi: “Po. Skupltura është shumë e veçantë dhe shumë e bukur dhe më ka pëlqyer mua, autorëve dhe të tjerëve që e kanë parë dhe e kanë vlerësuar.
Kjo shtatore e Nënë Terezës është dy metra e lartë, e derdhur në bronz me një peshë 360 kilogramë.
Shtatorja do të vendoset në qendër të Sarajevës në datën 4 qershor, pra dy ditë përpara vizitës së Papa Françeskut atje.
Unë po realizoj edhe një një ëndërr timen që e kam pasur meqënëse e kam takuar tri herë në jetën time Nënën Terezë, në periudhura të ndryshme kohore. Ajo është simboli im shpirtëror unë realisht po e bëj lidhjen time shpirtërore me Sarajevën”.

-Ju e premtuat, tjetërkush e financoi.

-Flamur Gashi: “Pasi unë e shpreha, dëshirën e kishte dëgjuar një miku im nga Detroiti, që në fakt është nga fshati Kojë i Malësisë së Tuzit.
Ai është Marash Kolë Nucullaj, i cili edhi në Tiranë gjatë vizitës së Papa Françeskut në 21 shtator 2014.
Marashi e kishte mësuar lajmin nga mediat që e kisha ndërmarrë këtë nismë dhe u ofrua vullnetarisht për të bërë të gjithë pagesën për prodhimin e shtatores.
Dhe, unë i jam shumë mirënjohës Marash Kol Nucullajt nga Koja e Malësisë, i cili jeton në Detroit për këtë dhuratë të çmueshme!
Unë kisha vendosur ta bëja vetë, sepse ishte një fjalë e dhënë, por Marashi më ndihmoi që fjalën e dhënë, premtimin e bërë, ta realizoj”.