Sarrazin: Gjermania e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Prishtinë, 13 maj 2022 – I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka konfirmuar se Gjermania do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Sarrazin në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën, tha se Gjermania do të mbështesë Kosovën në çdo rrugëtim drejt integrimit evropian.

“Ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur. Ne do ta mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet evropiane. Ne jemi pro dhe do ta mbështesim me të gjitha kapacitetet tona aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. Shpresojmë të kontribuojmë në këtë proces”, deklaroi Sarrazin.

Tutje, ai tha se Kosova është vendi i tij i preferuar në Ballkanin Perëndimor.

Madje, shtoi se ndoshta do të zgjedhte Kosovën nëse do të jetonte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Shakaja ime e zakonshme që po e bëj është se në secilin vend që po shkoj po them se ai vend është i preferuari nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, por disa njerëz thonë se është Kosova dhe kjo mund të jetë e vërtetë”, u shpreh Sarrazin.

“Herën e parë që erdha në Kosovë ishte në vitin 2016 ose 2017 dhe kisha dëgjuar disa storie negative për Kosovën në Gjermani dhe kur erdha këtu që nga momenti i parë u ndjeva mirë dhe kjo është më e mira që mund të ndodhë kur vjen në një vend dhe të pëlqen të jesh aty. Në fakt, nëse do të jetoja në Ballkanin Perëndimor ndoshta do të zgjedhja Kosovën ose njërën nga pesë vendet e tjera”.

Ndërsa, kryediplomatja Gërvalla tha gjatë këtij takimi kanë biseduar edhe për sfidat e rajonit dhe gjendjen gjeopolitike në botë.

Sipas saj, qeveria e re gjermane ka ripërsëritur se pozicioni gjerman do të jetë më aktiv lidhur me sfidat rajonale në Ballkanin Perëdimor.

“Biseduam për një orë për shumë tema të cilat lidhin Gjermaninë dhe Kosovën. Shumë prej temave dhe sfidave të rajonit dhe gjendjes së përgjithshme gjeopolitike në botë. Jemi mirënjohës për përkrahjen e të gjitha qeverive gjermane ndaj Kosovës. Edhe qeveria e re ka ripërsëritur se pozicioni gjerman do të jetë më aktiv lidhur me sfidat rajonale në Ballkanin Perëndimor. Procesi i Berlinit dhe Tregu i Përbashkët Rajonal janë shumë të rëndësishëm për integrimet evropiane”, u shpreh Gërvalla.

(Telegrafi)