Scholz: Schröder duhet të heqë dorë nga angazhimet në kompanitë ruse

Berlin, 4 mars 2022 – Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ka bërë thirrje ish-kancelarit Gerhard Schröder të heqë dorë nga angazhimet e tij në bordet e kompanive ruse të energjisë.

Në një intervistë për transmetuesin publik të Gjermanisë, ZDF, Scholz e ka cilësuar si  “shumë të rëndësishme”, tërheqjen e ish-kancelarit socialdemokrat nga pozitat që i mban në kompanitë ruse.

“Unë mendoj, që nuk është e drejtë që Gerhard Schröder i pranon këto poste”, ka thënë ai.

Scholz ka thënë se mbajtja e pozitave të larta në kompanitë shtetërore ose gjysmë shtetërore ruse të energjisë nuk është “aspak çështje private”. Ai ka thwnw se Schröder, si ish-kancelar, duhet të mbajë përgjegjësi dhe të shpjegohet para opnionit publik.

Ish-kancelari gjerman, Gerhand Schröder, ka një raport miqësor me presidentin rus Vladimir Putin. Ky raport e ka ndihmuar të mbajë pozita shumë të rëndësishme në kompanitë ruse të energjisë.

Schröder është kryetar i komisionit të shoqërisë aksionare “Nord Stream” dhe shef i këshillit mbikqyrës të koncernit shtetëror energjetik “Rosneft”. Ai është edhe kandidat për një post në këshillin mbikqyrës të koncernit shtetëror energjetik “Gazprom”.

Kryesia e Partisë Socialdemokrate (SPD) prej ditësh i ka kërkuar Schröderit të tërhiqet nga këto pozita, por ai nuk e ka bërë këtë.

Disa degë të SPD-së kanë kërkuar përjashtimin e Schröderit nga partia.

Vendimin për të mos i vendosur në listën e sanksioneve importet e gazit dhe të naftës, Scholz e argumentoi duke iu referuar çmimeve të energjisë të rritura ndjeshëm në Gjermani qysh përpara invazionit rus. Njëkohësisht sipas tij duhet kujdesur, që sa më shpejt të kufizohen varësitë në këtë drejtim.

(Sipas DW)