Sejko: Amnistia fiskale duhet studiuar mirë. Rrezik pastrimi i parave të pista

Tiranë, 5 tetor 2022 – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, e konsideron amnistinë fiskale një nismë pozitive për ekonominë.

Në një konferencë për mediat, Sejko tha se kjo nismë do të ndihmonte në formalizimin e ekonomisë dhe do të ndihmonte në mbushjen e buxhetit të shtetit.

 “Amnistia fiskale, me sa kam informacion, drafti po rishikohet. Ministrja e Financave e konfirmoi. Kemi pasur një draft përpara disa kohësh. I kemi dhënë opinionet tona. Opinioni i Bankës së Shqipërisë është thënë edhe përpara Kuvendit. E shohim në funksion të formalizimit të ekonomisë. Rritjen e përfshirjes financiare”, tha Sejko, citon Panorama.

“Ne kemi edhe një nga objektivat tona, reduktimi financiar. Amnistia fiskale do kishte impakt pozitiv. Do ndihmonte buxhetin e shtetit për të plotësuar nevojat e saj”, shtoi ai.

Sejko theksoi se amnistia fiskale duhet studiuar mire, sepse ajo mund të ketë efekt të kundërt.

“Sigurisht që kemi theksuar se amnistia fiskale duhet bërë e studiuar, që të jetë një instrument për përmirësimin fiskal. Për të shtuar të ardhurat dhe për të shmangur evazionin fiskal. Nëse amnistia fiskale do të funksionojë, do të ketë një mesazh se pas saj, nuk mund të ketë më evasion fiscal”, u shpreh ai.

Guvernatori Sejko tha se një nga efektet më të dëmshme mund të jetë pastrimi i parave të pista.

“Kostot e amnistisë fiskale – problem do të jetë pastrimi i parave të pista”, u shpreh ai.

Ai tha se për këtë arsye duhet të krijohen mekanizma për të shmangur pastrimin e parave të pista.

(r.m.)