Sekretari Blinken arrin në Paris, ku do të takohet me Presidentin Macron

Paris, 25 qershor 2021 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ndodhet në Francë, në ndalesën e tij të fundit të turneut evropian. Ai do të takohet sot me Presidentin Emmanuel Macron, në  kuadër të përpjekjeve për rikthimin e marrëdhënieve me aleatët e SHBA-së në rajon dhe për zgjerimin e marrëdhënieve transatlantike, raporton Zëri i Amerikës.

“Gjatë këtij udhëtimi, Sekretari Blinken do të theksojë rëndësinë e ruajtjes së bashkëpunimit transatlantik, përgjigjen tonë të përbashkët ndaj krizës shëndetësore, trajtimin e krizës së klimës dhe rëndësinë e forcës së partneritetit tonë afatgjatë”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Në deklaratë thuhet se Franca vazhdon të jetë “një partnere e palëkundur në luftën kundër terrorizmit” dhe se dy vendet “bien dakord mbi nevojën për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për veprimtaritë e saj agresive dhe destabilizuese, përfshirë ato në Ukrainë”.

Shtetet e Bashkuara dhe Franca bashkëpunojnë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Kinës “për të shkatërruar vlerat dhe institucionet që sigurojnë zbatimin e rregullave ndërkombëtare”.

Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të punojnë me Francën në zbatimin e financimeve për klimën për të arritur synimet e Marrëveshjes së Parisit dhe për përshpejtimin e tranzicionit drejt ekonomive me energji të pastërt, për të arritur emetimin zero deri në mes të shekullit”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Të enjten, në Berlin, sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania do të bashkëpunojnë për të kundërshtuar mohimin e Holokaustit dhe antisemitizmi. Ai tha se mohimi i Holokaustit dhe antisemitizmi shkojnë krah për krah me homofobinë, ksenofobinë, racizmin dhe format e tjera të diskriminimit.

Blinken tha se të dy qeveritë do të punojnë për të forcuar edukimin dhe për të kundërshtuar mohimin dhe shtrembërimin e Holokaustit, duke ndihmuar nëpunësit publikë dhe të rinjtë të kuptojnë Holokaustin dhe antisemitizmin në thellësi dhe të ndiejnë një përgjegjësi për të ndaluar mizoritë”.

(r.m.)