Sekuestrohen 262 kg kanabis në Vlorë

Policia e Vlorës ka sekuestruar 262 kilogram lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Pas finalizmit të operacionit të koduar “Çairet” u vu në pranga kryeplaku i fshatit Kaninë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe një punonjës i OSHEE-së, për veprën “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu u shpallën në kërkim  tre autorët e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas njoftimit të uniformave blu “u bë shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, shtetasve Fatbardh Kapllanaj, 45 vjeç, Engjëllush Kapllanaj, 22 vjeç dhe Klajdi Kapllanaj, 20 vjeç, banues të tre në fshatin Kaninë. Vijon puna intensive për kapjen e tyre.”

“Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi , në vendin e quajtur “Çairet”, në fshatin Kaninë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit Fatbardh Kapllanaj, u gjetën dhe u sekuestrua 210 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient pranë banesës së këtij shtetasi, e përshtatur si serë, me lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike, Policia gjeti fidanë narkotikë të kultivuar në serë dhe në kubikë, si dhe një sasi prej 52 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, në proces tharje, ” informojnë blutë e Vlorës.

“Në vijim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit, Andon Todi, 61 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Kaninë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe Gramos Islamaj, 51 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Të dy këta shtetas, në kundërshtim me ligjin nuk kanë përmbushur detyrën,” thuhet në njoftim.

Materialet i kaluan Prokurorisë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Kultivim i bimëve narkotike”, “Vjedhje e energjisë elektrike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.OraNews