Sekuestrohen rreth 6 kg lëndë kanabis dhe 1 pushkë në Durrës, arrestohet 25-vjeçari

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Selekt” duke sekuestruar një sasi droge e armë. Në pranga ka përfunduar një 25-vjeçar.

Seksioni i Hetimit të Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe Forcat Operacionale në DVP Durrës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe kapjen e personave që disponojnë armë zjarri, në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Selekt”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Elton Maxhaku, 25 vjeç, banues në Durrës.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi shërbimet e Policisë kanë ndaluar në lagjen nr. 2, Durrës, mjetin tip taksi me të cilën ky shtetas e kishte prenotuar për të lëvizur. Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e mjetit tip taksi, shërbimet e Policisë gjetën rreth 6 kg lëndë narkotike cannabis sativa e presuar dhe 1 armë zjarri (pushkë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

 

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.