Sekui: Palët të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve

DENION NDRENIKA

Komisioni Europian i bëri thirrje udhëheqjes politike në Shqipëri të pranojë dhe të ketë respekt për rezultatin e zgjedhjeve dhe të sigurojë që votuesit të kenë besim. Ambasadori Etore Sekui theksoi se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndrim të njejtë për zgjedhje me standarde. Sipas zotit Sekui, zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për institucionet demokratike, proces kyç dhe provë për Shqipërinë si vend që synon eurointegrimin. Ambasadori Sekui pas takimit me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefteri Lleshi iu drejtua me mesazhin e Baroneshës Ketrin Eshtën dhe Komisionerit të Zgjerimit, Shtefan Fyle udhëheqësve politikë: “Ata duhet të sigurohen të ndodhin dy gjëra: Zgjedhësit të besojnë te procesi, ta pranojnë si dhe të kenë respekt për rezultatin. Zgjedhjet kanë shumë rëndësi për institucionet demokratike, janë test për vendin, ecurinë dhe progresin drejt Bashkimit Europian. Një vend që aspiron Bashkimin Europian duhet të ketë zgjedhje me standardet europiane. Kjo është e qartë se përse e monitorojmë shumë këtë proces”.
Zoti Sekui bëri thirrje gjithashtu për plotësimin me 7 anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve: “Përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për Bashkimin Europian dhe partnerët përbën shqetësim. Institucioni që certifikon procesin, 4 ditë përpara zgjedhjeve ka 4 nga 7 anëtarë, por disa vendime duhen marrë me shumicë të cilësuar, pra me 5 vota dje jo 4. Politikanët dhe udhëheqësit ta plotësojnë këtë komision. Për mua, nuk është kurrë vonë”.
Sakaq, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në raportin e tretë të monitorimit, thotë se mosplotësimi me 7 anëtarë nga 4 që ka tani, i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk lehtëson funksionimin dhe pengon vendimmarrjen.