Selimi tregon se shprehja “s’më han lu*i…” i ishte drejtuar Ramës

Prishtinë, 10 gusht 2021 – Ish-ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Selim Selimi, ka reaguar ndaj kritikave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në adresë të liderëve politikë të Kosovës.

Selimi ka reaguar në mënyrë specifike ndaj akuzave të Ramës se ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilit i referohet me “një lider kosovar”, në takimin e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e kishte humbur “rastin historik” që Kosovës t’ia siguronte liberalizimin e vizave, për shkak të “marrëzirave kinse politike”.

“…një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, ‘mu nuk më han luli për kta!’ dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike”, ka shkruar Rama në një postim të gjatë në Facebook, ku i akuzon rëndë liderët e Kosovës për shkak se po e kundershtojnë nismën “Ballkani i Hapur” apo “mini-Shengeni ballkanik”.

Selimi, i cili ka qenë i pranishëm në pritjen për të cilën flet Rama, ka treguar se shprehja “nuk më han luli…” i ishte drejtuar pikërisht Ramës dhe jo kancelares Merkel apo Presidentit Macron.

Selimi, në një postim në Facebook, e ka riprodhuar dialogun mes Ramës, të cilit i referohet me “Lideri X”, dhe Haradinajt, të cilit i referohet me ”Lideri Y”.

Ai tregon se Lideri Y i kishte thënë Liderit X: “Ti kqyri punt e tua se as lu*i sme han për ty”.

Postimi i plotë:

Një bisedë në hollin e pritjes në Bundeskanzleramt (Zyren e Kancelares) ku isha prezent:

Lideri X: Po hiqe at dreq takse. Është koha të rregulloni marrëdhëniet me Serbi.

Lideri Y: Nuk asht veç pun’ takse. Para dy ditëve kesh në Mejë e ju kom borxh qatyne të rënëve me ju mbrojt gjakun e dinjitetin.

Lideri X: Ka përfunduar ajo kohë duhet të heqësh taksën e të arrish marrëveshje:

Lideri Y: Ti kqyri punt e tua se as lu*i sme han për ty.

 

(r.m.)