Senatori amerikan: Rusia po kërkon pretekst për luftë në Ukrainë

Uashington, 19 dhjetor 2021 – Kryetari i Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, Jim Risch, tha se propozimet e Moskës për ëështje të sigurisë janë sinjal i qartë se Rusia po “tenton të krijojë pretekst për luftë”.

Senatori Risch (republikan nga Idaho) tha të shtunën, më 18 dhjetor, se propozimet e Rusisë nuk janë marrëveshje për siguri, por listë e koncesioneve që duhet të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe NATO për të kënaqur presidentin rus, Vladimir Putin.

Propozimet e Kremlinit, të cilat u prezantuan nga Ministria e Jashtme e Rusisë, më 17 dhjetor, kërkojnë që Aleanca Veri-Atlantike (NATO) të ndalojë zgjerimin nga lindja dhe të ndalojë aktiviteti ushtarak i NATOS-s në Evropën Lindore, përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

“Federata Ruse i bëri këto kërkesa duke e ditur mirë se ato janë plotësisht të papranueshme”, tha Risch.

“Putin e di që Shtetet e Bashkuara dhe 29 aleatët tanë në NATO nuk do të negociojnë për të ardhmen e kombeve sovrane si Ukraina, e cila duhet të jetë në gjendje të bëjë zgjedhjet e saj”, shtoi ai.

Senatori Risch i bëri thirrje administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, dhe aleatëve të NATO-s që të refuzojnë këto kërkesa. Por, ai tha se NATO duhet të jetë e përgatitur që Putini ta përdorë refuzimin e kërkesave si justifikim për përdorim të forcës ushtarake. Ai po ashtu i bëri thirrje Kongresit dhe administratës amerikane që të veprojnë përpara se Rusia ta përshkallëzojë edhe më tej situatën.

Aktualisht, Rusia ka vendosur rreth 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën. SHBA-ja thotë se me këtë veprim, Moska po përgatitet ta pushtojë Ukrainën.

Propozimet ruse, që synojnë disa prej avancimeve të sigurisë që NATO-ja ka bërë në Evropën Lindore dhe në ish-shtetet sovjetike që prej viteve ’90, vijnë në kohën kur tensionet ndërmjet Uashingtonit dhe Kremlinit kanë arritur në nivelin që ishin pas Luftës së Ftohtë.

Një zyrtar i administratës amerikane tha më 17 dhjetor se disa nga propozimet ruse ishin “të papranueshme”, por tha se propozimet e tjera “meritojnë që të diskutohen”.

Ky zyrtar tha se SHBA-ja do të konsultohet me aleatët e saj, përfshirë edhe Ukrainën, përpara se t’i përgjigjet Rusisë lidhur me propozimet.

Tensionet ndërmjet Rusisë dhe Kievit janë të larta që prej vitit 2014 kur Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe nisi mbështetjen ushtarake, politike dhe ekonomike për separatistët që po luftojnë në lindje të Ukrainës.

Moska mohon se është e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt në konfliktin në lindje të Ukrainës, pavarësisht se ka shumë prova që e dëshmojnë të kundërtën.

(REL)