Serbët kanë pikëpamje të ndryshme mbi shtrirjen e Policisë së Kosovës në veri

Mitrovicë, 16 qershor 2013 – Politikanët serbë në veri të Kosovës kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me shpërbërjen e stukturave paralele të sigurisë. Politikanët e “linjës së fortë” akuzojnë kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, dhe zëvendësin e parë të tij, Aleksandar Vuçiq, se “ata e bënë atë që nuk mundën ta bëjnë në veri institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare”. Ndërkaq, politikanët e moderuar, e kuptojnë se për Beogradin ka qenë e pashmangshme një marrëveshje me Prishtinën.

Oliver Ivanoviq, njëri ndër politikanët serbë më kontravers, ka qenë u kujdesshëm gjatë komentimit të pjesës së marrëveshjes që parasheh shtrirjen e plotë të autoritetit të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Ai ka thënë se shpreson që Policia e Kosovës të mos ndërmarrë ndonjë operacion që do të provokonte përsëri serbët në veri.

Ndërkohë, kryetarja e komunës së Mitrovicës Veriore, Ksenija Bozhoviq, u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe EULEX-it që të ndërmarrin masa për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri, për shkak të rrezikut nga eskalimi i dhunës në atë pjesë të Kosovës.

“Kërkojmë reagim të shpejtë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, që të kryejnë punën e tyre në përputhje me mandatin që e kanë marrë”, thuhet në kumtesën e Ksenija Bozhoviqit.

R.M.