Serbët protestojnë kundër administratës serbe në komunën e Vitisë

Prishtinë, 9 gusht 2021 – Rreth 20 qytetarë të pakënaqur të komunitetit serb nga Vërboci, që gjendet rreth 60 kilometra nga Prishtina, për të gjashtën ditë radhë kanë protestuar para Organit të përkohshëm komunal të Vitisë, që funksionon në kuadër të sistemit serb. Ata protestuan lidhur me çështjen e papunësisë.

Sipas sistemit të Kosovës, Vërboci i përket Komunës së Kllokotit, një prej komunave të banuara me shumicë serbe në jug të Kosovës.

Në Kosovë janë dhjetë komuna me shumicë serbe dhe që të gjitha kanë kryetarë nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi.

Sipas banorëve të Vërbocit, në institucionet kosovare dhe serbe punësohen njerëz që jetojnë në Serbi dhe jo në Kosovë, të punësuarit nuk paraqiten në punë, por marrin paga të larta dhe ka edhe prej atyre që kanë rroga të dyfishta, ndërkaq “për njerëzit e zakonshëm nuk ka punë”.

“Ata marrin rroga të dyfishta, kurse unë nuk kam asnjë rrogë. Për 20 vjet, askush nuk dëshiron të ndihmojë këta njerëz”, tha për Radion Evropa e Lirë, Dejan Rakiq, një prej organizatorëve të protestës në Vërboc.

Rakiq dhe banorët e tjerë nga Vërboci po kërkojnë largimin e kryetarit të Organit të përkohshëm komunal të Vitisë, Sërxhan Nikolliq. Po ashtu, ata po kërkojnë që të bisedojnë edhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të cilit duan t’ia shpjegojnë “se çfarë po ndodh në Kosovë”.

Rakiq tha se ai dhe familja e tij varen nga ndihma sociale dhe shtesat për fëmijë që i marrin nga buxheti i Serbisë.

Ndërkaq, Lidija Cvetkoviq nga Vërboci thotë se nuk ka të ardhura financiare dhe se “nuk dëshiroj ndihmë sociale, por punë”. Ajo po ashtu mori pjesë në protestë për ta informuar publikun për “keqpërdorimet brenda Organit të përkohshëm komunal të Vitisë”.

Lidija Cvetkoviq, 26-vjeçare, ka përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë dhe për vite është në kërkim të punës në institucionet shëndetësore që punojnë sipas sistemeve të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ajo tha se për të nuk ka punë.

Kryetari i Organit të përkohshëm komunal, Sërxhan Nikolliq tha se përmes një përgjigjeje me shkrim dërguar REL-it do t’iu përgjigjet akuzave të banorëve të Vërbocit, por ai nuk ka dërguar asnjë reagim deri në publikimin e këtij teksti.

Protestat si një mënyrë për të gjetur punë

Në mesin e muajit mars, Lidija Cvetkoviq gjithashtu mori pjesë në protestën që u mbajt pranë ndërtesës së Qendrës Shëndetësore në Pasjan të Parteshit, një komunë tjetër e banuar me shumicë serbe. Protestat në Pasjan u mbajtën për të kundërshtuar “punësimet familjare dhe partiake”.

Megjithatë, disa ditë pas asaj proteste, organizatori i protestës, Bojan Stojkoviq tha se ishte mbajtur një takim “me përfaqësuesit e shtetit të Serbisë”, të cilët ofruan një zgjidhje për problemin e tyre dhe prandaj ata ndërprenë protestat.

Po ashtu në muajin mars u organizuan protesta për të njëjtën arsye edhe pranë Qendrës Klinike Spitalore në Graçanicë, por protestat u ndërprenë pas disa ditësh.

Qendra Shëndetësore në Pasjan dhe Qendra Klinike Spitalore në Graçanicë funksionojnë sipas sistemit serb.

Cvetkoviq tregon se atëbotë atyre iu dhanë “premtime të rreme” dhe thekson se ende nuk kanë hequr dorë nga protestat.

“Ata na thirrën, na thanë se do ta zgjidhnin këtë çështje. Thjesht mashtruan njerëzit që të mos dilnin në protesta”, shprehet Cvetkoviq.

“Unë nuk mora asgjë, ata që fituan, fituan. Ata vazhdimisht na thërrisnin që të mos mbanin protesta”, shton ajo.

Pse serbët në Kosovë nuk e ngrenë zërin?

Lidija Cvetkoviq dhe Dejan Rakiq i thanë Radios Evropa e Lirë se serbët e Kosovës janë të frikësuar dhe se ata vazhdimisht kërcënohen se do të mbesin “pa asgjë nëse ngrenë zërin kundër diçkaje”.

“Nëse nuk do të kisha mbledhur njerëz për të dalë në protestë, askush nuk do të kishte dalë. Njerëzit kanë frikë sepse mund t’ua ndalin ndihmën sociale. Kanë frikë se mund ta humbasin atë”, tha Lidija Cvetkoviq.

Edhe Dejan Rakiq ka të njëjtin mendim.

“Ka mbi 200 njerëz në fshatin tim. Unë e di që ata duhet të dalin (për të protestuar), por nuk guxojnë të shprehin qëndrimet e tyre, mendimet e tyre. Ata heshtin për rreth 120 euro të ndihmave sociale”, tregoi Rakiq.

Situatë e ngjashme dhe në komunat e tjera me shumicë serbe

Problemi i papunësisë është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen serbët në Kosovë, prandaj shumë të rinj gjithnjë e më shumë po largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.

Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë, Sllaxhan nga Shtërpca, i cili u shpërngul në Jagodinë të Serbisë, për shkak se në Shtërpcë nuk gjeti punë. Ai viziton Shtërpcën disa herë brenda vitit, për të parë prindërit e tij.

“Pa punë, çfarë të bëja këtu? Unë shkon në Jagodinë, punoj atje gjatë verës. Këtu nuk gjeta puna. Nëse jeni me partinë e tyre, mund të gjeni punë, nëse jo, nuk ka punë. Unë nuk jam me parti, prandaj nuk gjeta punë”, tregoi ai.

Planinka Staletoviq nga Brezovica, në Komunën e Shtërpcës thotë se ka mbetur vetëm, pasi fëmijët e saj u larguan nga Kosova, në kërkim të punës.

“Ne kemi një kopsht fëmijësh, por nuk kemi fëmijë. Si të martojmë fëmijët kur nuk kanë para?”, thotë Planinka Staletoviq.

Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq nga partia Lista Serbe, nuk ka komentuar për këtë çështje.

Nikolliq, që nga viti 2009 është kryetar i kësaj komune, që u formua në bazë të Planit të Ahtisarit. Ky plan është dokumenti, në bazë të të cilit u shpall pavarësia e Kosovës më 2008.

Bratisllav Nikoliq më herët ishte kryetar i Partisë Liberale dhe pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013, iu bashkua Listës Serbe dhe më 2017 fitoi sërish zgjedhjet lokale.

Përveç që është kryetar i Shtërpcës, Nikolliq po ashtu është i punësuar si koordinator i Organit të përkohshëm, që funksionon në kuadër të sistemit serb.

Kryetarët e komunave të tjera të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, gjithashtu marrin paga të dyfishta, ku njëri prej tyre është Zoran Todiq, kryetari i Leposaviqit, sipas sistemit të Kosovës dhe Serbisë.

Papunësia e lartë në Kosovë

Në Kosovë, sipas Agjencisë së Punësimit, rreth 200 mijë qytetarë janë të regjistruar si të papunë.

Një studim mbi punësimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor, i kryer nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, tregon se pandemia e koronavirusit ka ndikuar negativisht në punësimin e të rinjve.

Sipas këtij studimi, të publikuar më 2021, më shumë se gjysma e të rinjve (78.9 për qind) që punojnë në Kosovë kanë kontrata të përkohshme apo me afat të caktuar kohor.

(REL)

Comment

*