Serbët vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara dy rrugë nacionale në veri të Kosovës

Prishtinë, 22 shtator 2021 – Kosova ka hyrë në ditën e tretë që kur janë bllokuar dy rrugë nacionale në veri të vendit nga serbë lokalë të cilët po protestojnë kundër masave të reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia.

Të dy rrugët që shpijnë në pikat kufitare në Jarinje dhe në Bërnjakë po mbahen të bllokuara nga dhjetëra kamionë dhe mjete të tjera të rënda të vendosura në rrugë nga protestuesit serbë.

Këto pika kufitare, që nga dita e hënë, po mbikëqyren nga pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, të cilët janë vendosur në zonën midis pikave kufitare dhe bllokadave të rrugëve. Deri më tani policia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për zhbllokimin e rrugëve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës po kujdeset për sigurinë e qytetarëve. Ai kathënë se policët po e kryejnë punën e tyre në mënyrë shumë profesionale.

Protestuesit, të cilët po përkrahen nga liderët politikë lokalë dhe nga Beogradi zyrtar, thonë se do të vazhdojnë me bllokadat e rrugëve derisa të pezullohet vendimi për pajisjen me targa të përkohshme të Kosovës të të gjitha automjeteve me targa të Serbisë.

Ky vendim, i cili u mor nga Qeveria e Kosovës më 20 shtator, bazohet në marrëveshjen për lëvizje të lirë, të nënshkruar nga të dy palët në Bruksel, e cila e rregullonte lëvizjen midis dy vendeve deri më 15 shtator.

Në fakt, Qeveria e Kosovës veproi sikurse kishte vepruar Serbia qe gati 10 vjet.

Serbia nuk lejon hyrjen dhe lëvizjen e automjeteve me targat “RKS” (Republika e Kosovës). Drejtuesit e automjeteve janë të detyruar që në në vendkalimet kufitare të pajisen me targa të përkohshme “Proba”, për të cilat paguajnë 5 euro.

Tani, me vendimin e Qeverisë së Kosovës, drejtuesit e automjeteve me targa të Serbisë “RS” (Republika e Serbisë) që hyjnë dhe lëvizin në Kosovë janë të detyruar të pajisen me targa të përkohshme “RKS” (Republika e Kosovës), për të cilat paguajnë 5 euro.

Kjo është një masë reciprociteti, të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur “vlerë e barazisë” midis dy shteteve.

Kurti i ka bërë thirrje Serbisë që t’a zbatojë marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, në të cilën parashihej që pas 15 shtatorit të hiqeshin të gjitha pengesat në lirinë e lëvizjes midis dy vendeve.

Por, Presidenti i Serbisë nuk ka dhënë asnjë sinjal se ka vullnet për zbatimin e marrëveshjes. Të martën ai e ka kushtëzuar zbatimin e marrëveshjes me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

(r.m.)

Comment

*