Serbia bën pastrimin etnik të Luginës së Preshevës, përmes masave administrative

Preshevë, 8 qershor 2021 – Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës po bëjnë thirrje për mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar dhe për përfshirjen e tyre në bisedimet Kosovë-Serbi. të lehtësuara nga Bashkimi Evropian. Ata ankohen se autoritetet e Serbisë kanë qasje diskriminuese ndaj shqitarëve në këtë rajon.

Ragmi Mustafa, drejtues i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, me seli në Bujanoc, thotë se shteti serb po e keqpërdor ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin, duke mos e zbatuar atë në tërësi, për të fshirë adresat e banorëve shqiptarë.

“Ajo që është me rëndësi të theksohet është se ne konsiderojmë se ky proces masiv është selektiv, i drejtuar ndaj qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës. Krahas kësaj, ne konsiderojmë që me këtë po legjitimohet një spastrim i heshtur, nën petkun administrativ”, tha ai.

Sipas të dhënave të këtij Këshilli, deri tani në tri komunat e banuara me shqiptarë – Preshevë, Merdvegjë e Bujanoc – janë fshirë të dhënat e rreth 6 mijë vetave.

“Serbia është shumë më perfide. për shkak se pasivizimi i adresave në vetëvete është vetëm një çështje administrative. por efekti i këtij procesi është anulimi i të drejtave themelore të qytetarëve. që nënkupton të drejtat e tyre civilo-juridike, nga trashëgimia e deri te e drejta për të votuar dhe për të qenë i zgjedhur, dhe një mori të drejtash të tjera që lidhen drejtpërdrejt me letërnjoftimin”, tha ai.

Zoti Mustafa tha se qytetarët më të prekur janë ata që jetojnë në Kosovë.

“Por, kryesisht janë pjesa që dikur në Luginën e Preshevës janë konsideruar juridikisht të papamë, pra ata të cilët gjatë luftës së vitit 1999 që ka ndodhur këtu. pasi që ishte çliruar Kosova. për shkak të kushteve të vështira këtu, për shkak se kishte filluar edhe lufta e UÇPMB-së në këtë rajon, ishin zhvendosur në Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë e kështu me radhë, dhe që atëherë kanë mbetur pa dokumente të Serbisë”, tha ai.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës thonë se disa qytetarë tashmë e kanë ngritur këtë shqetësim në gjykata dhe janë duke u grumbulluar fakte që kjo çështje të trajtohet në institucionet ndërkombëtare.

Kjo çështje është ngritur edhe në raportin e progresit të vitit 2020 të Bashkimit Evropian për Serbinë. Raportuesi për Serbinë në parlamentin Evropian, Vladimir Bilcik, dhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon -Taubadel, në muajin mars të këtij viti, paralajmëruan shqyrtimin e pretendimeve për fshirjen e adresave.

Zyra e e zonjës Viola von Cramon -Taubadel, në një përgjigje për Zërin e Amerikës, përmes postës elektronike, tha se ajo po punon për këtë çështje dhe se është në kontakt me disa studiues në lidhje me situatën.

Zonja Cramon ka thënë se kur të përfundojë hulumtimi mund të shqyrtojë mundësinë që t’u drejtohet institucioneve ndërkombëtare dhe aktorëve përkatës.

Në përgjigje thuhet gjitjhashtu se zonja von Cramon mund ta vizitojë rajonin e Preshevës, në fund të muajit korrik.

Përfaqësuesit politikë të shqitarëve thonë se situata në Luginë të Preshevës vazhdon të jetë e rëndë dhe se në këtë rajon nuk është shënuar përparim që nga përfundimi i konfliktit të para 20 vjetëve ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në këtë zonë.

Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha se edhe pas 20 vjetësh shqipgtarët po diskriminohen.

“Komuna jonë, para se gjithash, është një komunë e shtypur sa i përket të drejtave, është një ndër më të diskriminuarat, është më e pazhvilluara ekonomikisht.  Shkalla e papunësisë është mbi 70 për qind. Është e nëpërkëmbur, sepse shumica e qytetarëve të komunës tonë kanë gjuhë, etni, kulturë ose religjion tjetër”, tha ajo.

Udhëheqësit politikë të Luginës së Preshevës i shohin bisedimet Kosovë-Serbi si një mundësi për, siç thonë, realizimin e të drejtave të tyre themelore, përfshirë edhe problemin e adresave.

“Tash, patjetër, është e domosdoshme, është jetike që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet në tryezën e bisedimeve”, tha kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës thonë se marrëdhëniet jo të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pasqyrohen edhe në situatën në këtë zonë të banuar me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)